Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden ka marrë dozën e tij të parë të vaksinës së coronavirusit. Ky moment është transmetuar drejtpërdrejt në TV si pjesë e një përpjekjeje për të bindur publikun amerikan se vaksinat janë të sigurta.
Edhe gruaja e tij, Jill Biden, i është bashkuar atij në vaksinimin në shtetin e tyre në Delaware. Ngjarja vjen të njëjtën ditë kur një vaksinë e dytë, e prodhuar nga Moderna, bashkohet me Pfizer në luftën kundër COVID-19.
Udhëheqësve të lartë të qeverisë amerikane duke përfshirë zëvendëspresidentin Mike Pence, kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe udhëheqësin e shumicës së Senatit, Mitch McConnell iu dhanë dozat e para të vaksinës, të premten. Mungon presidenti Donald Trump, i cili nuk ka thënë ende se kur ka ndërmend të marrë vaksinën.