“Duhen lider në fushë si unë, si Arturo Vidal, Nicolò Barella o Alexis Sanchez. Vetëm një sjellje e tillë mund ta transformojë mentalisht skuadrën e të përmbysë një ndeshje”. Ky është konstatimi i Romelu Lukakut, në një intervistë të publikuar sot në Belgjikë, pikërisht në ditën kur Inter është kthyer të punojë për të përgatitur ndeshjen me Crotonen. Antonio Conte natyrisht duhet të mendojë edhe për merkaton, bashkë me Marotta, Ausilio e presidentin Steven Zhang. Sepse për të vazhduar marshimin me një ritëm kaq të lartë (shtatë fitore radhazi në kampionat i lejuan ta shkurtojë distancën me Milanin, por nuk ishin të mjaftueshme për të zënë vendin e parë në renditje) është e nevojshme të rishikohet, të paktën pjesërisht, organika në dispozicion.
Ajo që është e qartë që në fillim është se do të jetë një merkato e vetëfinancuar. Pra, fillon me daljet. Midis këtyre, i pari duhet të jetë Eriksen. Do ta ndjekë Nainggolan, gjithnjë e më shumë në orbitën e Cagliari, veçanërisht pas këputjes së krociatit të pësuar nga Rog. Në listën e largimeve është edhe Pinamonti, ndërsa Perisic dhe Vecino mund të jenë pedina të rëndësishme për shkëmbim. Në bazë të numrit të daljeve, duke marrë parasysh të ardhurat dhe pagat e kursyera, do të programohen hyrjet.
Këtu futet në lojë linja e dytë: përparësi për një mesfushor dhe një sulmues. Për sulmin, përvec dëshirës për Gomez (kartoni dhe paga shumë e lartë, e vështirë për të gjetur një lojtar në shkëmbim të vlerësuar nga njerëzit e Bergamos), është Gervinho në vijën e parë. Për mesfushën, ëndrra është De Paul, por argjentinasi kushton shumë shumë për momentin. Mbetet e mundshme hipoteza e shkëmbimit në huazim midis Eriksen dhe Paredes të PSG.