Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të bashkë-financojë projekte në sektorin turistik duke vënë në dispozicion, për vitin e ardhshëm, një fond prej 30 milionë lekësh. Sipas Ministrisë thirrjet për paraqitjen e propozimeve kanë përfunduar ndërkohë që bënë të qartë se do të mbështeten me fonde deri në masën 50% nga buxheti i shtetit ato projekte të cilat synojnë promovimin e destinacioneve turistike dhe të vlerave të veçanta të produkteve dhe atraksioneve turistike.
Kryesisht me fonde do të mbështetet zgjerimi i aktiviteteve dhe ofertave turistike, duke synuar forcimin apo krijimin e produkteve të reja turistike, që shkojnë për zhvillimin e vendit dhe përfitimet e mundshme për popullsinë lokale të rajoneve të ndryshme. Përfshirjen gjithnjë e më shumë në sektorin e turizmit të komuniteteve lokale, studentëve në promovimin përmes produktit turistik sipas karakteristikeve të destinacioneve turistike si edhe promovimin e produkteve turistike shqiptare.
Gjithashtu do të financohen edhe projektet për zhvillimin e produktit turistik në mënyrë inovative drejt produkteve të interesit të veçantë. Këtu përfshihet hartimi i modeleve studimore e zhvillimore të aktiviteteve detare si pjesë e Turizmit blu, si dhe ngritjen e modeleve të menaxhimit të hapësirës së stacioneve të plazhit.Zhvillimin e produktit turistik gjatë gjithë vitit në lidhje me veprimtari të ndryshme turistike me tematikë gastronominë, zonat rurale, etnografinë, trashëgiminë kulturore, trashëgiminë natyrore etj.
Ministria bënë të qartë se financimi nga buxheti i shtetit nuk mund të jepet më tepër se një herë në vit për të njëjtin subjekt konkurrues dhe se shpenzimet e nevojshme për shpërblimin e ekspertëve të pavarur do të mbulohen nga fondi buxhetor i parashikuar për mbështetjen financiare të projekteve turistike.