Nga Erion Dasho
30 mjekë kanë humbur jetën nga COVID-19 në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre të infektuar gjatë kohës që ofronin kujdes shëndetësor. Shumë prej tyre do të ishin gjallë sot në se ministria dhe Komiteti që ende mburren se kanë organizuar përngjigjen më të mirë në botë ndaj COVID-it do t’i kishin pajisur ata me mjete mbrojtëse, do të kishin ofruar testimin e rregullt për ata dhe pacientët apo do të kishin mundësuar trajtimin e kolegëve bazuar në protokollet dhe praktikat e mira ndërkombëtare.
Numri 30 duket i ulët në raport me më shumë se 1,000 të vdekurit e deklaruar dhe 2,600 të vdekurit e vlerësuar në Shqipëri, por ai përbën fiks 1% të numrit total të mjekëve që i kanë ngelur këtij vendi.
Për paralelizëm, Italia do të kishte patur 2,400 vdekje në mjekë, Gjermania 3,600 kurse SHBA-të 8,700 nëse do të kishin patur të njëjtën shkallë vdekshmërie si Shqipëria.
Kuptohet se këto tre vende nuk kanë as një fraksion fare të vogël të vdekjeve në mjekë pasi në këto vende shërbimi shëndetësor është riorientuar që në mars dhe mbrojtja që i ofrohet mjekut në detyrë është maksimale!
Por, në këtë fundviti, kupa e u mbush edhe me një tjetër indikator! Qeveria që i shpall mjekët heronj, u çon lule zjarri dhe bombone për vitin e ri, në prapaskenë po zhvillon një betejë të pamëshirshme ndaj çdo zëri kritik.
Vetëm gjatë pandemisë janë tre mjekë – dy në QSUT dhe një në Kujdesin Shëndetësor Parësor në Tiranë që janë pushuar nga puna. Dy prej tyre me motivacion të qartë e zezë mbi të bardhë qëndrimin kritik që kanë mbajtur ndaj ministrisë dhe drejtorive përkatëse gjatë periudhës së pandemisë.
Pra vendi që gjeografikisht ndodhet në Europë, por ka 1 mjek për 1 mijë banorë (çka e bën më të ngjashëm me vendet afrikane dhe vendet e varfëra aziatike), ka luksin të lërë të pambrojtur mjekët e vet dhe të humbë 1 për 100 të tyre nga epidemia, kurse 1 për 1,000 nga kapriçiot e drejtuesve që janë kaq të “ndjeshëm” ndaj çdo zëri që ekspozon paaftësinë apo hajdutërinë e tyre!!!
Në se ky vend ka shoqata mjeksore, urdhër mjeku, sindikatë apo çdo formë tjetër organizimi ky është momenti për të ngritur zërin dhe protestuar.
Jo për të qarë në facebook kur na vdesin kolegët apo për të shprehur indinjatën kur ata pushohen nga puna!
Kupa është mbushur! Çdo vonesë në reagim është bashkëfajësi!