ILD, Metani: Ka ikur koha, që gjyqtarët e prokurorët që luajnë me interesa publike të mos kenë pasoja, s’do ia hedhin paq

0
This image has an empty alt attribute; its file name is Metani.jpg

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka zhvilluar një bashkëbisedim me gazetaren Klodiana Lala në News 24 mbi punën e institucionit në 11 muaj funksionim dhe mbi efektet e pritshmëritë e reformës në drejtësi.

I pyetur mbi gjendjen aktuale të drejtësisë dhe institucioneve të dala prej saj, Metani nënvizoi se reforma e thellë kushtetuese, ligjore dhe institucionale, të cilës iu nënshtrua sistemi i drejtësisë, me një arkitekturë të re, padyshim që kërkon kohën e vet, pasi sistemi është në vështirësi por mekanizmi ka filluar të lëvizë dhe tani është koha për rezultate.

“Tani fillon sfida tejet e rëndësishme, zbatimi i kompetencave që këto institucione kanë dhe realizimi i qëllimit, për të cilin këto institucione u krijuan, si kthimi i besimit të publikut, dhënia e një drejtësie të paanshme jashtë interesave të cdo fushe, e kështu me rradhë.

Natyrisht kjo ka sjellë edhe vështirësitë në sistem. Vështirësitë kanë ardhur pa dyshim, edhe nga lëvizjet për shkak të shkarkimeve të magjistratëve nga organet e vlerësimit kalimtar, ato që quhen organet e vettingut; padyshim kanë ardhur, vijnë dhe do vijnë edhe nga ndërhyrjet e jashtme të sistemit, sic janë inspektimi apo monitorimi i punës së gjyqtarëve e prokurorëve nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Por duhet thënë se reforma nuk është vetëm kjo.

eforma ishte ngritja e institucioneve por edhe ndryshimet në kodet e procedurave civile e penale, në gjykimet penale e civile, që do thotë se ka procedura të reja nga gjykatat e prokuroritë dhe sigurisht këto nuk janë ndryshime që e japin efektin për një ditë, një vit a dy vjet.

Efekti i tyre do kohën e vet. Eshtë e natyrshme që të ketë kohën e vet. Ajo që unë mendoj se është e rëndësishme është që institucionet po tregojnë se mekanizmi ka filluar të funksionojë dhe jam plotësisht dakord me opinionin e përgjithshëm, që qytetarët kanë nevojë të shohin rezultate.

Tashmë është koha e rezultateve dhe jo më e justifikimeve, sigurisht duke e balancuar kërkesën për rezultate me sfidat që përmenda më sipër.

Duke patur parasysh këtë filozofi mendimi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që prej funksionimit të tij më 1 shkurt 2020 ka bërë detyrën e vet, me ngritjen e institucionit krejt nga fillimi por edhe me masat e para ndaj dy gjyqtarëve e të tjerë magjistratë janë në proces disiplinor a hetimor”, u shpreh Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Lidhur me filozofinë e punës së institucionit që drejton, z.Metani tha se duke balancuar interesin publik e pavarësinë e magjistratëve, padyshim që gjyqtarë e prokurorë që shkelin ligjin, duhet të kenë frikë e do përballen me pasojat që parashikon ligji.

“Për mua është e rëndësishme që Inspektori i Lartë i Drejtësisë të jetë një institucion i balancuar në qëndrimet e veta, sa i takon ndërhyrjeve të tij në sistemin e drejtësisë, si për gjyqtarët e prokurorët, sepse nga njëra anë duhet të respektojë interesin e publikut për administrimin e drejtësisë, – publiku ka interes të shohë edhe si funksionon sistemi-, por nga ana tjetër ky interes duhet balancuar edhe me pavarësinë e gjyqtarëve e prokurorëve, edhe me ndarjen e pushteteve, edhe me parimet e procesit të rregullt ligjor e kështu me rradhë, që do të thotë se Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk është dhe nuk mund të jetë apo të qëndrojë si cekan në kokat e gjyqtarëve.

Por padyshim, ata gjyqtarë dhe prokurorë që kanë shkelur ligjin, apo që kanë shkelur interesat e shenjta të dhënies së drejtësisë, duhet të kenë frikë. Sa i takon ILD-së ka ikur koha, që gjyqtarët e prokurorët që luajnë me interesa publike, apo me interesat e qytetarëve të mos kenë pasoja“, tha Metani.

Artikulli i mëparshëmZv.kryeministri thirrje fermerëve: Pajisuni me NIPT që të merrni naftë pa akcizë, taksë qarkullimi e karboni
Artikulli i radhësKim dhe Kanye të ndarë prej kohësh