FOTO/ Pamjet kur Përparim Ademi shkoi me kallash dhe vrau dy motrat në Tiranë. Dëshmitë shokuese, nga dosja…

0
FOTO: Hyri dhe doli qetësisht, pamjet kur Përparim Ademi shkoi me kallash dhe vrau dy motrat në Tiranë. Dëshmitë shokuese, nga dosja hetimore

Emisioni Uniko në Klan Plus siguron pamjet ekskluzive të 59-vjeçarit Përparim Ademi kur hyn në banesën e dy motrave Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi, dhe pasi i ka vrarë largohet qetësisht.

Më 31 Dhjetor 2020, Përparim Ademi shfaqet në një prej kamerave rreth 50 metra larg pallatit ku banonin motrat, i veshur me xhup ngjyrë blu dhe me pantallona të zeza, i cili ecën qetësisht.

Sikurse duket në pamje, 59-vjeçari ka shkuar me biçikletë dhe pranë tij ishte edhe një djalë i ri i cili po e shoqëronte, që sipas informacioneve, është nipi i tij.

Përparim Ademi ka shkuar i armatosur me kallashnikov, të cilin e kishte fshehur në një çantë. Në hyrje të pallatit, ai ka lënë biçikletën e tij.

Kur ka mbërritur përpara derës së banesës ku jetonin Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi, Përparim Ademi është përballur me dy motrat.  Pasi ka hyrë në brendësi, Përparim Ademi qëlloi me breshëri kallashnikovi mbi të dyja.

13 minuta më vonë, Ademi largohet nga e njëjta rrugë dhe përshkon të njëjtin itinerar, por kësaj radhe pa biçikletë. Nëse do t’i rikthehemi sërish pamjeve të para, do të vëmë re se goma e parë e biçikletës ishte e shfryrë.

Me njërën dorë në xhep, Përparim Ademi është filmuar duke u arratisur nga vendngjarja, dhe rreth 1 orë më vonë, ai u arrestua nga policia pranë shkollës “Vasil Shanto”.

Nga dosja hetimore mësohet se në dëshminë e dhënë pas arrestimit, Ademi ka pretenduar se ka fëmijë me të dyja motrat. Ndër të tjera dje janë zbardhur dëshmitë e djalit të Zhaneta Metanit dhe gruas së Përparim Ademit.

Drekën e Krishtlindjeve tek shtëpia e Zhanetës ka pasur një debat dhe dy motrat ia kanë bërë të qartë Përparimit se duhet të ndërpriste marrëdhënien me ta. Ai është larguar dhe deri një ditë para vrasjeve, domethënë më 30 dhjetor, nuk ka pasur më komunikim me to.

Më 30 dhjetor në mëngjes ai ka shkuar poshtë pallatit të Zhanetës dhe aty e ka pritur në mëngjes herët kur ajo del për pune. Vetë Përparimi ka treguar se e ka marrë Zhanetën dhe e ka futur në makinë duke e kërcënuar me thikë.

Në Kërrabë të Tiranës sipas Ademit i ka kërkuar që të riktheheshin bashkë dhe të shkëputej nga personi tjetër që dyshonte se kishte lidhje. Përparimi deklaron se një moment Zhaneta u duk sikur ka pranuar. Më pas kanë shkuar në një hotel.

A. Metani, djali i Zhaneta Metanit, i cili ishte dëshmitar në vendngjarje mëngjesin e 31 dhjetorit, ka rrëfyer se mamaja fillimisht i kishte thënë që Përparimi Ademi ishte babai i tij por më vonë e kishte kuptuar që kjo nuk ishte e vërtetë. Babanë nuk e kishte njohur kurrë.

Vjollca Telo, gruaja e Përparimit tregon se e ka marrë vesh lidhjen nuk ka ndërhyrë për të prishur lidhjen e tyre pasi e donte burri të ishte i kënaqur për të mos prishur familjen.

Vjollca ka rrëfyer gjithashtu se me familjen e Zhanetës shkonin familjarisht në plazh. Ajo madje tregon se vetë Përparimi i kishte treguar për shqetësimin e tij se Zhaneta e tradhtonte me një tjetër.

Ndërkohë këtë të hënë, Bashkim Metani, vëllai i Kristina Bardhit dhe Zhaneta Metanit ka shokuar me rrëfimin e tij në një intervistë televizive.

Sipas tij, të dyja motrat kishin lindur me Përparim Ademin, (autorin e vrasjes), 10 fëmijë, dhe këto fëmijë janë shitur në Selanik në Greqi.

“Motra m’i ka treguar të gjitha në muajin dhjetor, nuk i denoncova pasi ma kërkuan motrat, pasi kishin frikë se do i vriste”, është shprehur Bashkim Metani.

Sipas tij, dy gratë janë shfrytëzuar edhe për prostitucion në Maqedoninë e Veriut.

“Përparim Ademi (Tela) ka shitur më shumë se 10 fëmijë të motrave të mija. Të dyja motrat e mija kanë pasur shumë detaje të atyre që ai ka bërë, ndaj edhe i ka vrarë.

Një person që e do një njeri nuk e nxjerr në rrugë dhe nuk e shfrytëzon. Përparim Tela i ka vrarë nga frika se motrat më kishin treguar mua, dhe do e fusnin brenda”, tha më tej Bashkim Metani, vëllai i viktimave.

Sipas tij, e shoqja e Ademit ka ditur të gjitha veprimet e të shoqit, ndërsa djali i autorit kontrollonte Kristinën dhe Zhanetën.

“Pasi më treguan, më thanë që ki kujdes të keqen motra, pasi ai mund të të vrasë edhe pse je larg. Ai nuk ka qenë vetëm, ka pasur bashkëpunëtor të tjerë, ka pasur lidhje me një avokat që është në Greqi, që mesa di tashmë ka ndërruar jetë”, dëshmoi më tej Bashkim Metani.

Gjykata Penale ka caktuar ndërkohë “arrest me burg”. Në momentin e krimit kanë qenë të pranishëm edhe dy të miturit 15 dhe 16 vjeç, fëmijët e Zhanetës.

Vrasja që tronditi opinionin publik ndodhi më 31 dhjetor, në rrugën Bajram Tusha në zonën e “Astir”.

59-vjeçari Përparim Ademi i qëlloi për vdekje me kallashnikov të dy motrat, Kristinën dhe Zhanetën, ndërsa e gjithë ngjarja ndodhi në sy të dy fëmijëve të mitur të kësaj të fundit.

Policia i gjeti të dy motrat në banesë pa shenja jete, ndërsa në vendngjarje u gjetën 26 gëzhoja kallashnikovi. Pas vrasjes, Ademi u largua me këmbë nga vendngjarja, ndërsa u arrestua 2 orë pas krimit.

Pas arrestimit Ademi është shprehur se nuk ka pasur për qëllim të vrasë motrat, por në debat e sipër ato e kanë ofenduar dhe ai ka qëlluar në drejtim të tyre.

Ademi është nga Tirana dhe ka jetuar për një periudhë kohe në Maqedoninë të Veriut ku edhe ka pasur probleme me ligjin.

Ai njihet edhe si Përparim Tela, pasi vite më parë ka ndërruar mbiemrin për arsye që nuk dihen.

Artikulli i mëparshëmNafta e nis vitin mirë/ OPEC+ pritet të mos ndryshojë kuotat e prodhimit. Bursa për datën 4 Janar 2021
Artikulli i radhësGjykata në Londër vendos që Julian Assange të mos ekstradohet në Shtetet e Bashkuara. Ka rrezik të vetëvritet