Britania nisi karantinën e tretë të Covid-19 ditën e Martë, ndërkohë që Qeveria po bën thirrje për një përpjekje të fundit kombëtare për të parandaluar virusin, përpara se vaksinimi në masë të bëhet efektiv. Ministri i Financave, Rishi Sunak, lajmëroi një paketë të re të granteve për bizneset në 6.2 miliardë dollarë, për të ruajtur vendet e punës dhe operimin e firmave, deri sa masat të lehtësohen, të paktën deri në mesin e muajit Shkurt.
Britania ka qenë një nga vendet më të goditura nga Covid-19, me shifrën e dytë më të lartë të vdekjeve në Europë dhe tkurrjen më të madhe ekonomike tek vendet e zhvilluara. Kryeministri Boris Johnson e lajmëroi karantinën e re në nisje të javës, duke thënë se varianti i ri i virusit po përhapet shumë shpejtë sa që Shërbimi Kombëtar i Shëndetit rrezikon të mbingarkohet brenda muajit. Vetëm në Angli, mbi 27,000 njerëz ndodhen në spital me covid-19, 40% më shumë se gjatë kulmit në karantinën e parë.
“Është e qartë që duhet të përpiqemi më shumë për të kontrolluar këtë variant të ri, ndërkohë që shpërndahen vaksinat. Për rrjedhojë duhet të futemi në karantinë kombëtare, që është masa e duhur për virusin. Kjo nënkupton se qeveria po ju udhëzon përsëri të qëndroni në Shtëpi,” është shprehur Boris Johnson.
Kryeministri shtoi se kjo është faza e fundit e vështirësive ndërkohë që vaksinimi ka marrë vrull. Britania po shpërndan 2 vaksina, një të zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech, dhe tjetrën nga universiteti i Oksfordit me AstraZeneca, ndërkohë që mbi 1 milionë njerëz kanë marrë dozën e parë. Nën masat e reja në Angli, shkollat duhet të mbyllen, njerëzit duhet të punojnë nga shtëpia nëse munden dhe dyqanet jo bazike janë mbyllur. Paralelisht, paketa ekonomike që prezantoi Sunak do ndihmojë bizneset dhe punëtorët gjatë kësaj periudhe dhe vjen shtesë 280 miliardë paundëve që qeveria ka lajmëruar për këtë vit fiskal.