BB jep lajmin e parë të mirë për 2021: Këtë vit, Shqipëria me rritje ekonomike në 5.1%, e dyta më e lartë në rajon

0

Ashtu si çdo fillim vit, Banka Botërore është institucioni i parë që publikon projeksionet për rritjen ekonomike globale. Sa i përket Shqipërisë, institucioni me bazë në Washington, projekton një rritje ekonomike për vitin aktual pranë 5.1%, nga 5% që projektonte në tetor të vitit të kaluar. Për vitin e kaluar ndërkohë, recesioni vlerësohet në -6.7%, ndjeshëm më i zbutur se norma prej -8.4% që parashikohej në raportin e fundit, si dhe larg projeksionit ogurzi të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që flet për një rënie të prodhimit të brendshëm bruto me 9%.

Edhe për vitin  ardhshëm projeksionet e Bankës Botërore duken më optimiste se vjeshta e vitit të kaluar, pasi flasin për një normë rritje pranë 4.4%, nga 3.9% që vlerësonte më parë. Sa i përket vitit aktual, Banka Botërore parashikon që në rajon Shqipëria do të jetë vendi i dytë me rritjen më të madhe të ekonomisë, pas Malit të Zi, ku rritja projektohet në masën 6.1%. Madje, në rajonin e gjerë, atë  të Evropës dhe Azisë qendrore, Shqipëria figuron e treta në listën e vendeve me rritjen më të madhe ekonomike, pas Malit të Zi dhe Kroacisë.

Për Kosovën, projeksionet flasin për një rritje ekonomike pranë 3.7% këtë vit. Madje, diçka e tillë theksohet në raport edhe mes rreshtave, ku Shqipëria dhe Mali i Zi, nënvizohet se do të kenë një rimëkëmbje më të fortë për shkak të turizmit dhe parashikimit për në kthim në normalitet këtë vit. Shqipëria me Maqedoninë e Veriut ndërkohë pritet të kenë një nxitje të produktivitetit në terma afat-mesëm edhe për shkak të përgatitjes për t`u bërë pjesë e Bashkimit Evropian”-thuhet ndër të tjera mes rreshtave.

Në terma global, Banka Botërore thekson se rritja ekonomike këtë vit do të jetë pranë 4%, dhe se kjo rimëkëmbje do të marrë shtysë kryesisht nga vaksinimi, por edhe nga investimet, dy faktorë të cilët do të jenë kyç në procesin e rimëkëmbjes.

Artikulli i mëparshëmBritani, karantina numër 3! – Johnson: Një përpjekje e fundit kombëtare përballë variantit të ri
Artikulli i radhësVaksina të papërdorura në SHBA! – New Yorku dhe Florida do të paralizojnë spitalet që nuk punojnë shpejt