Diplomatja që ka zgjidhur dy kriza në Tiranë merr postin e lartë në DASH

0
Diplomatja që ka zgjidhur dy kriza në Tiranë merr postin e lartë në DASH

Kush është diplomatja amerikane që presidenti Biden i besoi detyrën e zv/sekretares së shtetit?! Si ndikoi në zgjidhjen e dy krizave të forta politike, rikthimin e opozitës në Kuvend në vitin 2015 dhe miratimin e ligjit të dekriminalizimit, si dhe në arritjen e marrëveshjes për reformën në drejtësi.

Presidenti i ri amerikan Joe Biden pritet të emërojë në detyrën e zv/sekretares së shtetit diplomaten Victoria Nuland. Detyra e rëndësishme si bashkëpunëtore e sekretarit të ri të shtetit Antony Blinken vjen si një kulmim në karrierën diplomatike të 60- vjeçares Nuland, e cila për hir të së vërtetës ka qenë një karrierë gjithmonë në ngritje në detyra shumë të rëndësishme.LEXO EDHE:VIDEO/ Policia arreston protestuesit kundër zgjerimit të Greqisë në ujërat shqiptare

Por në Tiranë veçanërisht emri i saj është i njohur për zgjidhjen e të paktën dy krizave politike të rëndësishme, rikthimin e opozitës në Kuvend në vitin 2015 dhe miratimin e ligjit për dekriminalizimit dhe arritjen e marrëveshjes historike për miratimin e reformës në drejtësi. Roli i saj ka qenë vendimtar për Ligjin e Dekriminalizimit në 2015, një nismë e PD-së për të pastruar parlamentin dhe bashkitë nga njerëz me të shkuar kriminale.

Në vitin 2014 opozita e drejtuar nga Lulzim Basha mori vendim për të bojkotuar parlamentin pasi një deputet i saj, Gent Strazimiri, u dhunua në ambjentet e Kuvendit nga deputeti socialist Arben Ndoka. Opozita shprehu shqetësimin për futjen në Kuvend të elementeve kriminalë nga ana e partisë në pushtet.

Vizita e zonjës Nuland dhe takimi me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, ndikoi tek vendimi i opozitës për tu rikthyer në sallën e Kuvendit me një kusht të fortë; miratimin e ligjit të dekriminalizimit. Nuland e mbështeti fort këtë nismë të PD-së. Në një mesazh të shpërndarë nga Ambasada Amerikane mbi takimet e Nuland me krerët e politikës, thuhet se ajo foli për “nevojën që të gjitha partitë të ecin përpara me reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin”.

“Ndihmës Sekretarja përsëriti se pa këto reforma kyçe demokratike, Shqipëria nuk do të mundet të ndërmarrë hapin drejt integrimit më të madh Euro-Atlantik”– thuhet në mesazhin e ambasadës. Më vonë u vërtetua se kjo nismë do të ishte një nga lëvizjet më të mira të ndërmarra nga opozita dhe më domethënëse për politikën në vend, pasi prej këtij ligji u spastrua një numër i konsiderueshëm i deputetëve të Kuvendit, që kishin fshehur të kaluarën e tyre kriminale dhe më vonë shërbeu për pastrimin e listës së kryebashkiakëve të rinj të PS-së.

Deputeti Ndoka do të ishte një prej “viktimave” të këtij ligji. Por, vizita e Nuland në Tiranë që do të ndikonte drejpërdrejt në një prej marrëveshjeve më të rëndësishme politike, ishte ajo e korrikut 2016, kur po diskutohej reforma në drejtësi. Nuland u shfaq tepër aktive sa u përket negociatave ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Kujtojmë se asokohe PD-ja kishte shfaqur pakënaqësi ndaj ish-ambasadorit, Lu i cili u dërgonte mesazhe private deputetëve për të votuar reformën, pa dakordësinë e PD-së. Znj. Nuland erdhi në Tiranë në 10 korrik 2016 dhe afroi palët në qendrimet e tyre. Pas vizitës së saj, më 21 korrik 2016 Reforma në Drejtësi u votua me 140 vota në parlament.

Karriera

Nuland njihet si një diplomate karriere. Ajo ka shërbyer si diplomate e lartë amerikane për Evropën, ambasadore në NATO dhe zëdhënëse e Departamentit të Shtetit, do të emërohet nënsekretare e shtetit për çështjet politike, ose nr. 3 i Departamentit, raporton Zëri i Amerikës. Zonja Nuland, ish-ndihmëse sekretare e shtetit për çështjet evropiane, ka qenë zëvendës këshilltare për sigurimin kombëtar të nënpresidentit Dick Cheney nga viti 2003 në 2005 dhe shefe stafi e zëvendës sekretarit të shtetit nga viti 1993 në 1996.

Miqësia me Bashën

Megjithëse diplomatët perëndimore në detyrat e tyre zyrtare punojnë në shërbim të interesave të vendit dhe jo të individëve, zonja Nuland ka shfaqur hapur simpatinë për kryetarin e opozitës në Shqipëri, Lulzim Basha, saqë flitet për një miqësi mes tyre. Pas miratimit të reformës në drejtësi, për të cilën opozita vendosi të votojë vetëm pas ardhjes së Nuland, ajo do të shprehej me superlativa për Bashën.

“Me qëndrimet dhe veprimet tuaja keni dëshmuar se jeni një patriot për vendin dhe interesat e tij. Suksesi i reformës nuk do të kishte qenë i mundur pa lidershipin e treguar nga ana juaj”, i tha Nuland Bashës. Ndërsa kryeopozitari shpesh i referohet si “mike” në njoftimet publike për bisedat telefonike apo takimet me të. Vizita e saj e fundit në Tiranë ishte gjatë vitit 2019, ku mori pjesë si e ftuar në 10 vjetorin e themelimit Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Ajo u pa e ulur krah liderit demokrat në aktivitet, ndërsa në një status në facebook, Basha e cilëson znj. Nuland “një mike me vlera”./MAPO

Artikulli i mëparshëmU akuzua për mashtrim në Turqi, Rama e mori në delegacion
Artikulli i radhësErdogan nxjerr zbuluar Ramën: Spitali bëhet para zgjedhjeve