Presidenti i Turqisë ka zbuluar ‘kulisat’ e një marrëveshjeje me kryeministrin Edi Rama.
Në një konferencë të përbashkët me Ramën gjatë vizitës së këtij të fundit në Turqi, Presidenti Recep Tayip Erdogan, i premtoi kryeministrit publikisht se spitali rajonal i Fierit do të jetë gati në punë, para zgjedhjeve të 25 prillit.
Ishte vetë Rama ai që gjatë bisedës këmbënguli për të ditur nëse deri në datën 7 prill do të ishte spitali gati dhe përgjigjia që mori ishte: Do të mbarojë para zgjedhjeve!
Kryeministri u përpoq ta ndryshonte drejtimin e bisedës duke shtuar më tej se problemi i tij nuk qëndronte tek zgjedhjet, por tek fakti që shqiptarët do të pyesnin çdo ditë nëse Erdogan e kishte bërë apo jo spitalin, por Erdogan zbuloi ‘prapaskenat’.
Pjesë nga biseda
Edi Rama: Jam i lumtur që spitali rajonal i Fierit do jetë realitet. Në fakt bastet në Turqi dhe Shqipëri janë të ndaluara me ligj, nuk mund të vinim bast, por keni vënë një bast të madh President. Që do të jetë gati për 3 muaj është një bast shumë i fortë…unë do e kisha humbur me qejf në këtë rast,”- tha Rama.
Recep Tayip Erdogan: Mos të ketë merak, në Stamboll kemi ndërtuar 2 spitale me nga 1008 dhoma secilin brenda pak kohe. Duke qenë se do jetë më pak dhoma është një grimcë për ne, një grimcë po ta krahasojmë me ata të mëdhatë që kemi ndërtuar. Përjashto që do t’i pajisim dhe me aspektin teknik, makineritë e nevojshme. Dhe në spitalet tona ka nga 18 salla operacioni, atje mund të jetë më i ulët dhe nuk do kemi vështirësi. Mjekësia jonë do të dërgojë edhe mjekë që të trajtojë stafin shqiptar që do punojë në Fier. Brenda një kohe të shkurtër spitali do jetë gati për të ofruar shërbimin.
Edi Rama: Deri në datën 7 prill, 3 muaj….ju vetë personalisht
Recep Tayip Erdogan: Do të mbarojë para zgjedhjeve (turqisht)
Edi Rama: Çfarë tha…
Përkthyesi: Do të mbarojë para zgjedhjeve
Edi Rama: Jo s’ka rëndësi zgjedhjet, puna është se do të kesh supervizorët që do të të ndjekin çdo ditë, e bëri Erdogani apo s’e bëri…ke vënë një bast shumë të madh, Inshallah po e mban…