16 prej emigrantëve të ndaluar mbrëmjen e djeshme në grykëderdhjen e Vjosës janë dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa 12 të tjerë u nisën drejt QSUT-së, mes tyre dhe fëmijë nën moshën 10-vjeçare. Mësohet se ata kanë pësuar djegie në trup. 12 prej pacientëve të dërguar në Tiranë janë shtruar, ku 4 prej tyre janë në reanimacion, ndërsa 8 të tjerë të shtruar në pavion.
Mjeti lundrues i tipit gomone mbeti në grykëderdhjen të Vjosës për rreth 3 orë për shkak të erërave të forta në drejtim jug- perëndim. Një sirian tha për Report TV se ishte në gomone së bashku me dy motrat dhe nipin 7-vjeçar.
“Paratë i ka paguar im vëlla, nuk e di sa lek ka paguar, ne donim të shkonim në Itali ….në Europë , kudoqoftë. Kemi qëndruar për rreth 3 orë në det, u dogjëm nga benzina” – thotë siriani.
Pjesa tjetër e tyre gjenden në korridoret e Drejtorisë Vendore të policisë. Mbrëmjen e djeshme, policia njoftoi në komunikatën e saj për shtyp për kapjen e rreth 50 klandestinëve, megjithatë salla operative u njoftua për një mjet lundrues me shtetas të huaj në bord që kërkoi ndihmë për shpëtim pasi gjendej në grykëderdhjen të Vjosës në rrezik për t’u mbytur. Gomonia e përmasave të mëdha është dëmtuar dhe mbytur pjesërisht.
Në aksionin e shpëtimit morën pjesë një mjet lundrues i Rojes Bregdetare dhe dy mjete të Guardia di Financias italiane.
Në tokë aksioni për krehjen e territorit dështoi, ndërsa policia nuk arriti të zbardhë dhe ndaloj shqiptarët e përfshirë në trafik. Burime jozyrtare konfirmojnë ndalimin e dy personave të dyshuar si të përfshirë.