Alfred Muharremi, i riu që të vetmen familje kishte fshatin Sos, sot që ka krijuar familjen e tij, pasi ka mbaruar Fakultetin e Ekonomisë dhe punon në sektorin bankar, në moshën 29-vjeçare aspiron të bëhet deputet.
“Duke qenë se unë prej disa viteh kontribuoj në shoqërinë civile, pasi jeta ime ka kaluar pothuajse në institucionet e përkujdesjes sociale dhe dua të them që jeta e një të riu që është rritur pa kujdes prindëror po ashtu e një fëmijë është jashtëzakonisht e vështirë.
Kontributi nga ana e qeverive ka lënë për të dëshiruar gjë që mua më bëri të aplikoj që të jem zëri i kësaj kategorie në parlamentin shqiptar”.
Shtysa për të kandiduar në platformën “Deputeti që duam” ishte pikërisht komuniteti ku është rritur, ndërsa ai vetë nuk e kishte menduar asnjëherë veten si pjesë e parlamentit shqiptar, edhe pse beson se një figurë si ai për njerëzit që i kanë arritur me mund gjërat në jetë, për njerëzit e papërfaqësuar mungon në Kuvend.
“Nuk kam pasur shumë besim te politika, sepse unë realisht nuk synoj të bëj karrierë politike në kuptimin e mirë të fjalës ta kem ambicie personale, por ajo që unë synoj që e kam ëndërr, e vetmja gjë që dua të bëj është që të loboj që të jem zëri, forca, fytyra e çdo fëmije dhe çdo problematike, që të marr një zgjidhje në këtë parlament”.
Veç dëshirës që të përzgjidhet, 29-vjeçari ka frikë se me çfarë do të përballet në sferën politike dhe i ka dhënë vetes një premtim.
“Unë jam një i ri i rritur me ideale dhe parime, jam rritur nga 7 nëna dhe mijëra njerëz që më kanë mbështetur në fshatin sos, dhe nëse unë nuk do të gjej ndoshta terrenin e duhur, nuk do të gjej vetveten atëherë do të shkëputem.
Unë kam marr një risk përsipër që ti shërbej shoqërisë, këtij komuniteti ku u rrita me çfarëdolloj kosto, por kosto pa prekur integritetin tim apo moralin”./tch