Elon Musk u sugjeroi ndjekësve të tij të shumtë në numër që të përdorin Signal, një aplikacion i cili u kthye në një nga më të shkarkuarit në Apple Store dhe Google Play.
E gjitha nisi pasi Elon Musk kritikoi politikat e privatësisë së Facebook, i cili zotëron dhe WhatsApp-in. Për vite me radhë, WhatsApp është konsideruar si një nga kompanitë më të sigurta, por ndryshimet e politikave të Facebook kanë bërë që përmes WhatsApp-it të mblidhen të dhënat e përdoruesve për t’u përdorur nga Facebook.
Nuk është hera e parë që Musk kritikon mënyrën se si Facebook vepron me privatësinë e përdoruesve. Në vitin 2018, ai mbylli profilin personal, përfshirë edhe faqen e Tesla-s dhe SpaceX.
Fill pas sugjerimit të tij, Signal shënoi një numër rekord shkarkimesh në të gjithë botën. Signal funksionon si çdo aplikacion tipik për të shkëmbyer mesazhe me tekst.
Aplikacioni është në zhvillim nga Signal Foundation, një organizatë jofitimprurëse me qëllim zhvillimin e një teknologjie të sigurt e cila mbron privatësinë.