Edi Rama deklaroi se nëse qeveria e tij fiton një mandat të tretë nuk do të ketë as ulje dhe as rritje taksash për biznesin e vogël dhe të madh.
Në një konferencë për mediat me temë ‘Ekonomia në fokus’, kreu i qeverisë theksoi se do të vijohet me ngritjen e hapësirave mes administratës dhe qytetarëve, që është marrëdhënia online, për të shmangur abuzimet.
“Nga një punë krahu në kuptimin ‘hidhu rrugëve dhe përdor forcën’ do të kalohet në një punë inteligjente, e bazuar tek truri inteligjent i gjithë sistemit të kompjuterizuar që do të japë të dhëna për çdo individ që bën biznes në Shqipëri. Kjo nuk është ëndërr, por është një punë që ka filluar. Sot që flasim ka filluar me marrëdhëniet biznes-qeveri. Në dy faza të tjera do të hyhet në marrëdhëniet biznes-biznes. Është themelore që të kuptohet se puna për këtë karabina është punë kolosale dhe s’ka të tjera forca që e bëjnë dot këtë punë dhe që ta çojnë këtë deri në fund. Ne kemi qenë shumë të qartë që ditën e parë dhe s’mund të na e vërë kush para syve se; kush fiton më pak paguan më pak. Nga pjesa më e goditur e atyre që vetëpunësohen dhe krijojnë punë për të tjetër, është pjesa më e privilegjuar që i bën qeveria, zero taksë për tatim-fitimin. Ia kemi rritur pjesës tjetër. Në mandatin e tre nuk ka më as rritje, as ulje. S’kemi ça ulim më për biznesin e vogël, taksën mbi fitimin dhe për biznesin e madh do të vazhdojmë që të jemi në të njëjtin pozicion dhe do t’i krijojmë hapësirë në raport me administratën duke e fiskalizuar dhe duke e kthyer marrëdhënien online.”, tha Rama.