Deputetja Rudina Hajdari tha nga foltorja e Kuvendit se Shqipërisë i mungon një lloj politike ndryshe dhe kjo është problematika kryesore që ka dominuar në politikën shqiptare.
Deputetja tha se asnjëherë salla e Kuvendit nuk është drejtuar nga populli shqiptar, ndaj dhe sipas saj, sot të gjithë deputetët janë kaq egoistë dhe të pafytyrë, që nuk mendojnë për qytetarët, të cilët këtë vit janë përballur me tragjedinë e tërmetit dhe tani me koronavirusin.
“Mungon një lloj politike ndryshe në këtë vend. Nuk është vetëm sot kjo problematikë, por është një nga gjërat kryesore që ka dominuar në politikën shqiptare. Asnjëherë kjo sallë nuk është drejtuar nga populli shqiptar. Ky ka qenë viti më i vështirë për shqiptarët në 20 vitet e fundit, pasi u përballën me dy tërmete, humbën jetë më shumë se kurrë në 20 vite, kanë dëme më shumë se kurrë. Dhe ne sot jemi kaq egoistë, kaq të pafytyrë. Po kur do vijë ajo ditë që ne t’i drejtohemi popullit dhe t’i themi që kjo sallë do të përdoret për ta. Ne nuk dimë t’i japim ndihmë ashtu sic duhet.
Dëgjova Ahmetajn, që gënjeu drejtpërdrejtë, sepse Kosova na ka lënë neve, në mënyrën si po e menaxhon situatën, sidomos gjendjen ekonomike. Ahmetaj nuk e thotë këtë. Nëse nuk do të kishim të dhënat e BB, këtu do të ishte bërë hataja, pasi izolohet cdo informacion. Kemi një ekzekutiv që po mundohet të abuzojë me gjendjen aktuale, por populli do i përgjigjet në datën e zgjedhjeve.
Kur kemi një kryeministër si ai që është sot, që teston Beqajn dhe i thotë të propozojë ulje pagash e pensionesh. Ju deputetë duhet të solidarizoheni me situatën, mos u bëni nga ata të kryeministrit.
Po hyjmë në një fazë depresioni, është shumë vështirë të flasim për ekonominë dhe ne nuk kemi ende një paketë. Një recesion ekonomik po ndjehet çdo ditë, që edhe gjeneratat e ardhshme do ta paguajnë shtrenjtë këtë që po ndodh sot. Kjo sallë duhet të mbushet me ata njerëz që kanë shkollimin e duhur, vizionin e duhur, për ta bërë Shqipërinë ashtu siç e meritojmë”, tha Hajdari.