Në gjithë vendin janë të paktën 612 njësi të ngritura pranë insitucioneve publike dhe private që kanë detyrimin e të pasurit të një sinjalizuesi (bilbilfryrësi) sipas parashikimeve të ligjit të vitit 2016. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit raportoi se vitin e shkuar kanë funksionuar 168 njësi përgjegjëse në sektorin publik dhe 444 njësi në sektorin privat.
Detyrimin për të pasur një njësi të tillë e ka çdo instiucion që ka më shumë se 100 punonjës dhe kjo njësi shihet si një mekanizëm efikas kontolli për ndërmarrjet apo instiucionet që veprojnë në dëm të interesit publik apo zbatojnë praktika të jashtëligjshme dhe abuzuese. Por pavarësisht numrit të lartë të njësive të ngritura duket se 87.5 për qind e atyre në sektorin publik pra në shtet kanë denjuar të paraqesin një raport mbi situatën e instiutcionit, ndërkohë që në privat situata paraqitet edhe më indiferente ku kanë raportuar vetëm 55 për qind e njësive përgjegjëse.
Por në raportet e instiucioneve nuk duket të jetë konstatuar ndonjë denoncim rastesh abuzimi sikurse pritet nga këto struktura. Madje nga 391 raporte ka vetëm tre raste të sinjalizuara që mund të trajtohen sipas ligjit në fuqi.
“Në këtë kuadër, Inspektorati i Lartë ka marrë dhe administruar 147 raporte vjetore nga Njësitë Përgjegjëse pranë autoriteteve publike, ku nga analizimi i tyre konstatohet se në 2 Njësi Përgjegjëse janë sinjalizuar dhe trajtuar raste në kuadër të Ligjit nr. 60/2016. Në lidhje me Njësitë Përgjegjëse pranë sektorit privat janë marrë dhe janë administruar 244 raporte, ku nga analizimi i tyre konstatohet se në 1 Njësi Përgjegjëse janë paraqitur dhe trajtuar sinjalizime në përputhje me parashikimet e Ligjit nr. 60/2016.
Gjithashtu, gjatë vitit raportues, në ushtrim të kompetencave ligjore, si mekanizëm i jashtëm raportimi për sinjalizimin dhe kërkesat për mbrojtje nga hakmarrja, Inspektorati i Lartë ka regjistruar dhe trajtuar në total 14 raste sinjalizimi dhe 1 kërkesë për mbrojtje nga hakmarrja të ardhur nga sektori publik” thuhet në raport.
Çfarë janë bilbilfryrësit
Ligji “Për sinjalizimin dhe sinjalizuesit” vendos si kriter që në çdo institucion publik me më shumë se 80 punonjës dhe çdo biznes me më shumë se 100 punonjës duhet të ketë një strukturë të veçantë.
Qëllimi i këtij ligji është marrja e informacioneve dhe sinjalizimeve nga sinjalizuesit, njësia përgjegjëse ose e drejtpërdrejtë nga ILDKPKI për rastet e veprave penale të korrupsionit, çdo veprimi ose mosveprimi të kundërligjshëm sipas legjislacionit penal në fuqi, në lidhje me çdo formë të korrupsionit aktiv, korrupsionit pasiv, shpërdorimit të detyrës ose kompetencave, ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave ose marrjen e vendimeve, shpërdorimit të të ardhurave të Buxhetit të Shtetit, përfitimit të paligjshëm të interesave si dhe çdo akt tjetër të ngjashëm me to të kryer në subjektin tuaj nga pronarët, administratorët, drejtuesit dhe cilido tjetër, hetimin e këtyre rasteve nga ILDKPKI dhe përcjelljen e tyre organit të Prokurorisë dhe Policisë kur gjenden elementë të veprave penale të mësipërme.