Dhoma Kombëtare e Përmbarimit ka reaguar ashpër ndaj ministres Etilda Gjonaj pas deklaratës se “në këto katër vite si ministre e Drejtësisë nuk kemi dhënë Asnjë Licencë Noteri; Asnjë Licencë Përmbaruesi;
Dhoma Kombëtare e Përmbarimit shkruan se shqyem sytë kur lexuam këtë arritje ministrore”.
Reagimi i plotë i Dhomës
Të gjithë shqyem sytë kur lexuam këtë arritje ministrore. D.m.th. po nuk dhe licenca, je ministër i mirë. Nëse ke dhënë licenca, je i keq! Po nëse nuk ke patur mundësi të japësh licenca edhe pse mund të kesh patur dëshirë shumë, çfarë i bie të jesh?
Në komunitetet tona filluan komentet… Një koleg noter tha: – Këto janë gjepura; dy të tjerë u shprehen: – Janë dokrra… një ndërmjetës bëri humor duke thënë se janë “palabra” në spanjisht. Ne po e shkruajmë në shqip: këto janë Pallavra! Faktet flasin krejt ndryshe dhe duhen thënë troç. Asnjë mundësi s’ka patur ministri të japë në tre vite licenca për dy shkaqe. Kryesori është fakt, ndalesa që i ka vënë ligji, e më tej mungesa e akteve nënligjore:
Përmbarimi: Pika 10, neni 20 i ligjit nr. 26/2019- “Provimi i kualifikimit” për përmbaruesit gjyqësorë privatë parashikon rregulla për zhvillimin e provimit. Rregulla apo akt nënligjor s’ka, që prej miratimit të ligjit të ri 1.7 vite më parë (korrik 2019).
Ndërmjetësimi: Pika 5, neni 5/1 i ligjit nr. 26/2018, parashikon rregulla për provimin kualifikues. Rregulla apo akt nënligjor s’ka që prej miratimit të ndryshimeve të ligjit 2.7 vite më parë.
Noteria: Pika 5, neni 6 i ligjit nr. 110/2018 parashikon se Qendra e Trajnimit administron shprehjet e interesit për noterët e rinj. Qendra e Trajnimit të Noterëve u inagurua vetëm 3 ditë më parë dhe për 2 vjet s’kishte asnjë akt nënligjor për ngritjen e saj, sipas kërkesave të ligjit të ri për noterinë miratuar në fundin e vitit 2018.
Pra, të tre profesionet për të paktën 2 vjet, përveç kufizimeve që ka vënë ligji (si në rastin e noterisë), kanë qenë nën një vakuum nënligjor, pamundësi absolute ligjore për të organizuar provime. Për të dhënë licenca noterësh, përmbaruesish apo ndërmjetësish.
Të tre profesionet duan minimalisht 1.5 vite të tjera të bëhen gati për provime të reja (licenca të reja), pasi duhet që konkurrentët për licenca të kalojnë fazën e detyrueshme të trajnimeve të paktën 1-vjeçare, sipas 3 ligjeve në fuqi. Noteria mundet që në pranverë-verën 2022 të rekrutojë apo licencojë noterë të rinj, por jo më parë. E gjithsesi, ata fillimisht do të jenë zëvendësnoterë. Ndërsa, përmbarimi dhe ndërmjetësimi që s’kanë (ende) qendra trajnimi, mbeten me kësmet deri për vjeshtë-dimër 2022 ose nga 2023-shi.
Një fakt tjetër është se të tria Dhomat, përgjatë gjithë vitit 2018 bllokuan çdo proces apo “negociatë” për bërje provimesh apo licencimesh deri në përfundimin e procesit të Reformës në Drejtësi.
Pra, “palabrat” se s’janë dhënë licenca janë njëlloj sikur të themi: këto dy muaj jam bërë i rregullt, nuk dal më mbrëmjeve nëpër “pub”-e ose “club”-e, madje nuk dal kurrë nga shtëpia pas orës 22:00!
Megjithatë, nja 470 miniprovime noterësh u bënë këto dy vjet, me metodën “vetting”: “Alo, alo..dilni pak nga MD se keni një problem të vockël me dokumentacionin…”. Mbase janë thjesht “palabra”, por noterët mund të flasin vetë. Në shqip i themi “ku ka zë, s’është pa gjë”.