Në Tiranë, pas regjistrimit të partive politike në garën zgjedhore të 25 prillit, vëmendja është përqëndruar tek listat e kandidatëve për deputetë.
Organizatat që mbrojnë të drejtat e grave po u bëjnë thirrje partive që të përmbushin detyrimet e tyre për kuotat gjinore në listat e kandidatëve.
16 parti politike dhe një kandidat i pavarur u regjistruan sot nga KQZ si subjekte garuese për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Një pjesë e tyre njihen fare pak nga publiku, një pjesë tjetër janë përfshirë në listat e njëra tjetrës dhe si përherë vetëm disa prej tyre pritet të jenë sfidante me peshë në zgjedhje.
Edhe pse partitë kryesore kanë nisur veprimtaritë parazgjedhore, mbetet për t’u parë përmbajtja e listave me emrat e kandidatëve.
Afati i fundit i dorëzimit të këtyre emrave në KQZ është 8 marsi, ose 50 ditë para datës së zgjedhjeve.
Sipas Kodit të ri Zgjedhor, KQZ ruan të drejtën që të kthejë prapa listat nëse ato nuk plotësojnë kuotat gjinore 1/3 të parashikuara nga ligji.
Për veprimtaret e shoqërisë civile, si drejtuesja e Rrjetit të Grave për Barazi në Vendimmarrje, Edlira Çepani, ky është një çast për t’u tërhequr vëmendjen partive që të plotësojnë detyrimet ndaj grave dhe t’u krijojnë hapësirat e premtuara në vendimarrje.
“Sivjet zgjedhjet janë ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, sepse ka ndryshuar sistemi dhe ka shumë paqartësi mbi mënyrën se si do të funksionojë, se si do të numërohen votat e kandidatit të preferuar, votat e listës së ashtuquajtur të hapur. Nga ana ligjore ka përmirësim, por presim të shohim se si do të zbatohen ato praktikisht nga partitë politike” – tha zonja Çepani.
Sivjet është futur mekanizmi që në 3 kandidatë 1 duhet të jetë grua dhe është hequr gjobitja e partive që nuk e përmbushin këtë kuotë, por është shtuar e drejta e KQZ për të refuzuar listat partiake që nuk përmbushin këtë detyrim.
Sipas ligjit, edhe 30 për qind e deputetëve duhet të jenë gra, madje edhe 30 për qind të administratës zgjedhore duhet të jenë gra.
Gerta Meta, drejtuese e Shoqatës për Kulturë Demokratike, thotë se “sivjet kandidatet sërish nuk kanë hapësirat e duhura politike të vendit dhe rrezikojnë që sërish të përdoren si një formalitet pranë lidershipit burra në shumicën dërrmuese, ndërsa pritet që kandidatet gra duhet të jenë edhe më të shumta në numër edhe më cilësore sa i takon përgatitjes akademike”.
Veprimtaret e shoqërisë civile kërkojnë nga partitë që t’u besojnë më shumë grave, për sa kohë që thonë se gratë janë më të frytshme në punë dhe më të ndershme në detyrat që marrin përsipër.
Rasti më i mirë do të ishte që qytetarët dhe anëtarët e partive t’ua japin sivjet masivisht kandidateve gra votën e tyre preferenciale.
Por aspekti më i paqartë në këto zgjedhje mbetet se si do të përdoret nga partitë lista pjesërisht e hapur e kandidatëve, dhe nëse kjo do t’i ndihmojë apo do t’i dëmtojë gratë kandidate.
Por gjithçka mbetet për t’u parë, sepse historia e zgjedhjeve ka treguar se premtimet dhe detyrimet ligjore kanë qenë formale, herë zbatuar e herë jo, por nuk kanë sjellë ndonjë fuqizim të zërit dhe pjesëmarrjes së grave në institucionet vendim-marrëse./VOA