Kosova feston sot 13 vjetorin e pavarësisë së saj! Ky festim vjen dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare që përfshinë vendin e që nxorrën fitues Albin Kurtin. Dita e sotme nisi me ceremoni të zhvilluar në oborrin e kryeministrisë ku u ngrit flamuri shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së. Në ceremoni mori pjesë ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti. Midis tyre u vu re një ftohtësi pasi nuk pati asnjë përshëndetje formale.
Monumenti i ‘NewBorn’ sërish ka ndryshuar pamje. Për përvjetorin e 13-të, janë duart me ngjyrën e ushtrisë që kanë zënë vend në shkronjat e këtij monumenti. Përmes kësaj synohet që t’i tregohet botës se jemi bashkë, sikur në ditën kur u shpall pavarësia dhe të gjithë lamë një shenjë, dhe se jemi të njëzëshëm për sakrificën dhe flijimin e të gjithë atyre që dhanë jetën, që ne të jetojmë në paqe. Motoja e këtij monumenti sivjet është “E prumë paqen bashkë”.
Edi Rama ka uruar Kosovën që në orët e para të mëngjesit. Ai ndau në Facebook një foto të Dua Lipës e cila mban të veshur flamurin e Kosovës dhe Shqipërisë.
Monika Kryemadhi ka uruar Kosovën në 13-vjetorin e pavarësisë. Në një postim në rrjetet sociale, Kryemadhi shkruan se në 13 vitet e pavarësisë, përparimi i Kosovës është mbresëlënës në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, dhe në afirmimin si një partner serioz në rajon që i kontribuon paqes, sigurisë dhe integrimit të tij në BE.
Lulzim Basha ka uruar Kosovën për 13-vjetorin e pavarësisë. Nëpërmjet një video, kryedemokrati shpreh urimin e tij për shtetin fqinj. Basha shprehet se kjo është data e dytë më e rëndësishme për kombin tonë si dhe thotë se Kosova nuk do të jetë asnjëherë vetëm.
Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër urimi publike presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit. Letra nis me urimin për 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Meta shkruan se i përshëndet përpjekjet dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, duke sjellë më shumë stabilitet e begati për Kosovën, si dhe shndërruar atë në faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, për paqen në rajon.
Gjatë ditës janë zhvilluar homazhe te shtatorja e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari në Prekaz dhe Skenderaj, shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë, varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, Reçak dhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Do të mbahen edhe aktivitete sportive si Gara e Pavarësisë- Federata e Gjimnastikës në Prishtinë, Turniri i Pavarësisë-Federata e Mundjes. Në Han të Elezit, Turniri i Pavarësisë- Federata e Ping-Pongut Prishtinë, Vrapimi i Pavarësisë- Federata Atletike në Viti.
Për nder të 13-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të hapet ekspozita “Jeta dhe vepra e Sali Çekut” dhe ndarja e çmimeve vjetore për letërsi nga MRKS-ja në Prishtinë. KK i Prizrenit mban mbledhje solemne dhe ndan dekoratën “Nderi i Qytetit” për ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës Bujar Gjurgjealën, ndërsa mbledhje solemne do të mbahen edhe në Komunën e Skenderajt, Podujevës dhe komunat e tjera.
Aktivitetet mbyllen në mbrëmje me koncertin recital, ndërkohë që me urdhër të Ministrisë së Arsimit edhe në shkolla ora e parë do t’i kushtohet arritjeve të vendit deri më tani.