PSG hedh në “tapet” Barcelonën, Mbape fiton duelin e “yjeve” me Mesin

0
PSG hedh në “tapet” Barcelonën, Mbape fiton duelin e

Liga e Kampioneve të Europës u rikthye mbrëmë me ndeshjet e fazës me eliminim direkt, ku pati emocione dhe gola të shumtë. Barcelona dhe Paris San Zhermen u përballën në klasiken e parë midis tyre për këtë edicion të UEFA Champions League, një ndeshje pa praninë e tifozëve por që ishte brenda kornizës së dy emrave të mëdhenj të futbollit europian. 20 minutat e para të ndeshjes ishin pothuajse në baraspeshë, ku të dyja skuadrat studiuan lojën e njëra-tjetrës, me një përpjekje më të madhe të PSG-së e cila ishte më agresive në lojë. Gjithsesi, në minutën e 28-të, pas një pasimi në thellësi, De Jong shkelet në këmbë nga mbrojtësit francezë dhe arbitri dha penallti. VAR e konfirmoi dhe nga pika e bardhë e 11-metërshit goditi saktë Lionel Mesi, duke kaluar Barçën në avantazh. Por ky avantazh do të zgjaste shumë pak, vetëm 4 minuta, pasi në minutën e 32-të, pas një manovrimi të bukur në zonë, Kilian Mbape tregoi klas duke barazuar shifrat në 1-1. Loja bëhet më e gjallë dhe me sulme e kundërsulme të fuqishme që spostoheshin sa në një portë në tjetrën. Kurzava për pak sa nuk shënoi golin e dytë për PSG-në në minutën e 35-të, kurse në një kundërzbritje të shpejtë në minutën e 38-të, francezi Griezman ishte vetëm pak cm larg golit, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë. Pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1. Në pjesën e dytë ishin francezët dukshëm më kërkues dhe krijuan më shumë raste shënimi me Ikardin dhe Mbapenë, falë dhe një freskie fizike të tyre. Mesi përpiqet të çajë në minutat në vijim në zonën e skuadrës franceze, madje fiton dhe një goditje dënimi që e ekzekuton vetë, por topi devijohet nga muri. Në minutën e 65-të vjen momenti i lavdisë për Mbape, i cili realizon golin e dytë. Një sulm nga e djathta e francezëve, ku dyshohej se lojtari ishte në pozicion jashtë loje, bën që topi i kthyer në zonë të devijohet nga Pike por të përfundojë tek Mbape. Goditja e “yllit” të PSG-së është e saktë dhe ai tund rrjetën. Në minutën e 70-të do të vinte një tjetër goditje fatale për Barçën. Një goditje dënimi ekzekutohet nga Parades që e dërgon topin në shtyllën e dytë, atje ku ndodhej Kean, i cili në rrëmujë e sipër shënon me kokë golin e 3-të për PSG-në. Katalanasit përpiqen të çajnë përpara por Mesi nuk ka më as fantazinë e as forcën fizike të dikurshme. Në një kundërzbritje të frikshme PSG gjen golin e katërt. Draksler avancon përpara deri në hyrje të zonës dhe atje jep asist për Mbape, i cili me një parabol shënon supergol, duke hedhur në “tapet” Barcelonën. Ndeshja tjetër e luajtur mbrëmë, ajo mes Leipzigut dhe Liverpulit, përfundoi 0-2 për anglezët. Pjesa e parë mbyllet pa gola, 0-0, kurse në pjesën e dytë përpjekjet e Liverpulit në fazën sulmuese shtohen dhe Mohamed Salah shënoi për anglezët në minutën e 53-të. 5 minuta më pas do të ishte radha e sulmuesit tjetër të skuadrës angleze, Sadio Mane, që të dyfishonte shifrat në favor të Liverpulit,duke bërë që anglezët të hedhin një hap drejt çerekfinales së Champions League.

Artikulli i mëparshëm“Do të shini turqit e çmendur”/ Grekët sfidojnë Erdoganin: Ne duam të flasim me qetësi, por askush nuk mund ta mohoj fuqinë e vendit tonë
Artikulli i radhësBasha: Sllovenia avokate e Shqipërisë gjatë presidencës së BE. Ja garancitë që mora nga kryeministri slloven