Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike i Policisë italiane Franco Gabrielli, nënshkruan protokollin operacional ndërmjet Departamentit të Sigurisë Publike të Policisë italiane dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Nënshkrimi i këtij protokolli ka si prioritete:
Sintetizimin e përpjekjeve të përbashkëta të dy policive, në luftën kundër fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike në territorin shqiptar, duke shtuar aftësitë zbuluese nëpërmjet përdorimit të teknologjisë më të avancuar;
Zgjerim të spektrit të përdorimit të mjeteve fluturuese për vëzhgim ajror të territorit, me qëllim shtimin e aftësive zbuluese të misioneve monitoruese ajrore të përbashkëta, duke siguruar mbulim më të plotë të gjithë territorit;
Përdorim të teknikës monitoruese, fluturuese me helikë dhe dronëve që ka në përdorim Policia e Shtetit dhe pala italiane, me qëllim intensifikimin e fushatës monitoruese, duke garantuar mbulimin edhe të atyre pak zonave që mund të mos kapen nga monitorimi me avion;
Krijimin e një Shërbimi të Mbikëqyrjes Detare që përfshijnë të dy vendet, për të luftuar zhvillimin e trafiqeve të paligjshme përmes detit.
Palët do të realizojnë programe trajnimi, konsulence, stërvitjeje dhe asistence, në fushat që janë objekt i protokollit.
Veliu, i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj dhe Drejtori i i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Pëllumb Seferi, zhvilloi takim me Zv.drejtorin e Përgjithshëm/Drejtorin e Policisë Kriminale Vittorio Rizzi. Gjatë takimit, Veliu dhe Rizzi diskutuan për monitorimin ajror përgjatë 2021, në lidhje me luftën ndaj kanabisit, fenomenit të migracionit të parregullt dhe krijimin e skuadrave të përbashkëta hetimore që në fillesën e hetimeve