Gruaja e Joaquin Guzman, i njohur si El Chapo, është arrestuar në aeroportin e Uashingtonit në SHBA. Emma Coronel Aispuro, ish-mbretëreshë bukurie, akuzohet për trafik droge.
Sipas gazetës Daily Mail, një informator e akuzon 31-vjeçaren se kishte planifikuar arratisjen e të shoqit nga burgjet e Meksikës. I gjithë plani i arratisjes kushtoi 3 milionë dollarë.
31-vjeçarja ka nënshtetësi amerikane dhe meksikane. Ajo u arrestua të hënën në operacionin më të madh kundër karteleve nga administrata e Joe Biden.
Ajo pritet të dalë përpara gjykatës të martën, e akuzuar se ka trafikuar drogë nga viti 2014 deri në vitin 2017, kur i shoqi u ekstradua për në SHBA.
Megjithatë ajo nuk është figurë shumë e rëndësishme e kartelit dhe mediat thonë se prokurorët shpresojnë që të marrin ndonjë rrëfim prej saj.
Ajo akuzohet se e ndihmoi të shoqin 63-vjeçar të arratisej përmes një tuneli nga burgu Altiplano në Meksikë në vitin 2015. Një informator tha se ajo i dha 2 milionë dollarë kreut të burgjeve në Meksikë për transferimin e të shoqit në një burg ku mund të arratisej. 1 milionë dollarë të tjera shkuan për operacionin e arratisjes.
Edhe pse i shoqi u arrestua dhe u dënua në SHBA për trafik droge, ajo vazhdonte stilin e saj luksoz të jetesës, duke acaruar jo pak oficerët e antidrogës në SHBA.