Postjerët mund të hapin zarfet në rast se u duken të dyshimta

0
Postjerët mund të hapin zarfet në rast se u duken të dyshimta

Gjermania ndryshon ligjin për Shërbimin Postar dhe detyron postjerët që t’i dorëzojnë në polici paketat që u duken të dyshimta.

Organeve të policisë dhe të drejtësisë në Gjermani po u jepen mundësi të reja për të luftuar trafikimin e paligjshëm të drogave, të armëve ose objekteve të tjera.

Bundestagu miratoi një projektligj, sipas të cilit postjerët dhe punonjësit e tjerë të shërbimeve postare janë të detyruar t’u dorëzojnë organeve të ndjekjes penale paketa dhe dërgesa të tjera postare që u duken të dyshimta. Po ashtu ata kanë të drejtë që në rast se kanë “dyshime të mjaftueshme” se paketat përmbajnë objekte të ndaluara t’i hapin ato.

Ende objekt debatesh

Përkufizimi i “dyshime të mjaftueshme” është ende objekt debatesh politike. Zëvendëskryetari i grupit parlamentar të ekologjistëve Konstantin von Notz paralajmëroi se stacionet e policisë nuk do të kenë kapacitete të mjaftueshme nëse postjerët kanë të drejtë të hapin të gjitha paketat që mund t’u duken të dyshimta dhe se punonjësit e postave nuk janë “ndihmës-sherifë” policie.

Por sipas poltikanit të partisë liberale FDP, Reinhard Houben, frika se ky ligj minon fshehtësinë e postës është e papërligjur, sepse bëhet fjalë vetëm “paketa ose letra që janë dëmtuar, hapur ose grisur vetvetiu”, tha ai.

Mallrat e ndaluar

Ndër “mallrat e ndaluar” që supozohet se mund të zbulohen në këtë mënyrë bëjnë pjesë droga dhe armë, lëndë eksplozivë dhe lëndë dopingu. Sipas ligjit të ri kompanitë mund të gjobiten nëse punonjësit e tyre shkelin detyrimin për të informuar në raste dyshimi autoritetet e ndjekjes penale. Ky ligj e ka zanafillën në një iniciativë të Këshillit Federal Gjerman.

E ngarkuara e qeverisë federale për drogat, Daniela Ludwig, e përshëndeti rregulloren e re. “Trafikimi i drogës përmes internetit po lulëzon dhe krijon sot sfida të mëdha për zbatimin e ligjit dhe drejtësinë,” tha ajo. “Ndryshimi i sotëm i Ligjit për Shërbimin Postar është një hap i rëndësishëm në luftë kundër krimeve të lidhura me drogat.”/ DW/

Artikulli i mëparshëmKapet sasia rekord e kokainës në Evropë/ Droga transportohej me 5 kontenjer nga Paraguaji
Artikulli i radhësBasha qytetarëve: T’i japim fund siç duhet kryeministrit që nuk ka çfarë të japë më