Shqipëria ndër vendet me moshën mesatare më të re të grave që lindin fëmijën e parë në Europë

0

Rritja e jetëgjatësisë kudo në Europë i ka bërë më të vona martesat si për femrat dhe për meshkujt dhe për rrjedhojë edhe lindja e fëmijës po vjen në një moshë gjithnjë e më të madhe për femrat.

Sipas përllogaritjeve të Eurostat në vitin 2019 mosha mesatare e grave për lindjen e fëmijës së parë në Europë ishte 29.4 vjec, ndërsa në Shqipëri në të njëjtin vit ishte 26,4 vjeç.

Shqipëria bashkë me Turqinë, Bullgarinë dhe Rumaninë kishin normat më të ulëta të moshës mesatare të grave që lindin fëmijën e parë.

Eurostat vë në dukje se mosha mesatare e grave në BE për lindjen e fëmijës së tyre të parë po rritet gradualisht. Ky tregues është rritur në të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së gjatë kësaj periudhe, megjithëse në shkallë të ndryshme.

Ndryshimi më i madh ishte në Estoni, ku mosha mesatare u rrit me 1 vit, nga 27.2 vjet në 2015 në 28.2 vjet në 2019, e ndjekur nga Lituania dhe Luksemburgu (të dy +0,9 vjet).

Gjatë së njëjtës periudhë, ndryshimet më të vogla u regjistruan në Sllovaki (+0,1 vjet) dhe Slloveni (+0,2).

Mosha e grave në lindjen e parë varion nga 26.3 në Bullgari deri 31.3 në Itali. Në 2019, mosha e nënës në lindjen e parë ishte mbi 31 vjeç në tre shtete anëtare të BE: Itali (31.3 vjet), Spanjë dhe Luksemburg (të dy 31.1 vjet).

Në të kundërt, në dy shtete anëtare moshat mesatare në të cilat gratë kishin fëmijën e parë ishin nën 27 vjeç: Bullgaria (26.3 vjeç) dhe Rumania (26.9 vjeç).

Fertiliteti i vonë femrave po favorizohet më së shumti nga jetëgjatësia. Në vendin tonë, një grua pritet që të jetojë mesatarisht tre vite më shumë se një burrë i lindur në Shqipëri. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat pritshmëria e jetëgjatësisë së një burri shqiptar në 2017-n ishte 77.1 vite përkundrejt jetëgjatësisë prej 80.1 vite së një gruaje.

Një studim ndërkombëtar i “Proceedings of the National Academ”, i cili analizoi 1763 njerëz të lindur në mes të viteve 1800 dhe 1935, në 13 vendet e zhvilluara, gjeti se jetëgjatësia tek femrat ishte përmirësuar nga kurat më të mira ndaj sëmundjeve infektive dhe dietave më të shëndetshme.

Femrat thonë shkencëtarët, ishin në gjendje t’i shfrytëzonin këto përfitime në mënyrë më efikase dhe më të shpejtë se sa meshkujt.

Duke u fokusuar tek të rriturit, shkencëtarët kanë zbuluar se, për individë të lindur pas viteve 1880, normat e vdekshmërisë tek femrat kanë rënë më shpejt se 70% në krahasim me ato të meshkujve.

Nga ana tjetër Banka Botërore në statistikat e saj për Shqipërinë ka gjetur se në vitin 1961, jetëgjatësia mesatare e shqiptarëve ishte 62.3 vite, teksa në vitin 2015 shihet se jetëgjatësia ka rritur në 78 vjeç. Vetëm në periudhën e tranzicionit jetëgjatësia është rritur me 6 vite.

Artikulli i mëparshëmBasha qytetarëve: T’i japim fund siç duhet kryeministrit që nuk ka çfarë të japë më
Artikulli i radhësInteresat e depozitave, shpenzimet e sektorit bankar prekën nivelin më të ulët në një dekadë