Artikulli në mediat ndërkombëtare/ “Dritan Rexhepi është një gjeni i krimit”. Në Ekuador, padronët e rinj të drogës flasin shqip

0

Nga Emanuel Pietrobon

Amerika Latine përballet me narkotrafikun që nga epoka e Pablo Escobarit dhe e kartelit të Medelinit, por sidomos në 20 vitet e fundit problemi ka marrë përmasa kontinentale, falë fraksionizmit të panoramës kriminale, rënies së fuqisë së shtetit dhe kalcifikimit të korrupsionit, duke u përhapur në masa të barabarta në Meksikë e Kolumbia, Brazil e Paraguai, Argjentinë e Salvador.Zona të tëra të Amerikës Hispanike kanë marrë formën e zonave gri, apo më saktë të shteteve brenda shtetet, jashtë kontrollit të autoriteteve, ku sundojnë anarkia e ligji i rrugës, e ku luftërat mes bandave, pjesë e një përditshmërie anormale, janë bërë pjesë e jetës së banorëve që tashmë nuk iu bën më përshtypje dhuna.

Vetëm në Meksikë, vendi më i prekur nga fenomeni i narkotrafikut, nga 2006 deri sot janë vrarë mbi 300 mijë persona, 34 mijë prej të cilëve vetëm vitin e kaluar, mbi 82 mijë janë zhdukur, ndërsa 150 mijë të tjerë janë detyruar të shpërngulen diku tjetër. Luftërat në ish-Jugosllavi, me përfshirje shtetesh, grupesh paramilitare dhe të NATO-s, me gjithë mizorinë e tyre gjatë një dekade, kanë pasur më pak viktima: 140 mijë të vdekur, 12 mijë të zhdukur.

Pastaj janë rastet e Kufirit të Trefishtë, e shndërruar në ferr-parajsën ku kryqëzohen rrugën e karteleve të drogës dhe terrorizmit ndërkombëtar; dhe rasti i Ekuadorit, vend emigrimi i trafikantëve nga Shqipëria ku dhuna në rrugë është në rritje, sidomos në Guayaquil, dhe që ka tërhequr vëmendjen e Europolit dhe Interpolit.

Narkombreti i Quitos flet shqip

Rrëfimi i kësaj historie nuk nis nga fillimi i saj, edhe për shkak se nuk ka tamam një fillim, por nga fundi. Fundi ka një datë konkrete: 15 shtator 2020, dita në të cilën Europol dhe forcat e rendit të dhjetë vendeve çmontuan një kartel droge unik në llojin e vet, pa të ngjashëm në pjesën tjetër të botës. Kjo sindikatë kriminale ndërkombëtare e specializuar në trafikun ndërkombëtar të kokainës, e njohur si ‘Kompania Bello’, kishte një të veçantë: ishte e gjitha shqiptare, nga koka te këmbët. Shqiptarë shitësit e rrugës, shqiptarë mbikëqyrësit e shitësve, shqiptarë furnizuesit e drogës dhe, e pabesueshme, shqiptar edhe burimi i lokalizuar në Amerikën Latine.

Burimi quhet Dritan Rexhepi, 40 vjeç, dhe është një gjeni i krimit, i kërkuar në Shqipëri, Itali e Belgjikë për krime të lidhura me drogën. Historia e tij ka brenda të pabesueshmen për një seri arsyesh: është arkitekt i një organizate kriminale që nuk ka precedentë historikë, ka një numër arratisjesh spektakolare nga burgjet, para se t’i dedikohej narkotrafikut ishte pranë diplomimit në juridik në Universitetin e Tiranës, dhe u bë mbret i drogës nga qelia, arrestuar më 2014 në Quito me 278 kile kokainë dhe dënuar me 13 vjet burg.

Ndonëse në burg, Rexhepi krijoi e drejtoi nga distanca Kompaninë Bello për gjashtë vjet, duke porositur të paktën dy vrasje gjatë kësaj periudhe – sipas prokurorëve italianë – e duke administruar një xhiro biznesi që vetëm në periudhën 2016 – 2017,duke mbushur Evropën me 6022 kile kokainë, duhet të ketë nxjerrë të ardhura 141 milion euro.

Si mund të bëhesh mbret narko

Si arriti Rexhepi në Quito? E si ia doli të ngjiste shkallët e narko-panoramës ekuadoriane? Historia e këtij gangsteri piktoresk nis në Shqipërinë e viteve ’90. Diktatura e egër e Enver Hoxhës ka rënë dhe vendi është në anarki. I riu Rexhepi braktis ëndrrën e karrierës në drejtësi, duke zgjedhur pikërisht rrugën e kundërt: krimin. Një zgjedhje e vështirë, do t’i thoshte disa vjet më pas një gazetari, duke i shpjeguar ‘kisha dy mundësi: t’i dorëzohesha sistemit të kalbur e të padrejtë të Shqipërisë, që do të më kishte dënuar përjetë, apo të kërkoja një mundësi të dytë duke bërë diçka tjetër me jetën time. Për këtë hyra në trafikun e drogës’.

Përse duhej t’i druhej burgut të përjetshëm një student i juridikut? Kësaj pyetjeje iu dha një përgjigje më 2013, kur Rexhepi, tashmë i kërkuar, u dënua me 25 vjet burg nga Gjykata e Tiranës për dy vrasje të kryera më 1998, njëra e një polici. Pra jo një student i thjeshtë, por një kriminel i zoti, karriera e të cilit, nisur në realitetin e vrasjeve me pagesë, do të vazhdonte më parë me grabitjet me armë – në Belgjikë – e pastaj në trafikun e drogës.

Para se të shkonte në Ekuadro, Rexhepi përshkoi Kontinentin e Vjetër si i dënuar e si i kërkuar. I dënuar nga një gjykatë italiane për trafik kokaine, identifikohet në Holandë e prej andej ekstradohet në Itali më 2008. Arratiset nga burgu i Vogheras më 2011, duke sharruar hekurat me limë, si në filma. Kapet pas disa muajsh në Spanjë dhe ekstradohet në Belgjikë, ku ishte i kërkuar për grabitje me armë, burgoset në Anversë. Arratiset edhe prej andej dhe këtë herë e lë Evropën, duke shkuar në Amerikën Latine.

Pasi mbërrin në Ekuador, gjeniu i krimit arrin të hyjë në grupin e trafikantit më të rëndësishëm në vend, Cesar Emilio Montenegro Castillo, i quajtur ‘Don Monti’, i cili nga ana e tij është në lidhje biznesi me kartelin kolumbian të Norte del Valles dhe me mbretin e padiskutueshëm të drogës, Joaquin ‘El Chapo’ Guzman.

Idili lind kur Rexhepi zgjidh problemet e Don Monti, i cili përdorte kanale për transferuat e parave të ofruara nga organizata kriminale kineze dhe ankohej vazhdimisht për komisionet e larta që merrnin. Shqiptari i propozoi të eliminonte ndërmjetësit kinezë e të përdorte korrierë ‘ekonomikë’ shqiptarë e të kryente operacione të vogla përmes Ëestern Union. Ideja e bind bosin që nga ai moment i beson Rexhepit përveç menaxhimit të kontabilitetit edhe administrimin e dërgesave të drogës në Evropë.

Kompania Bello

Rexhepi arrestohet në Quito në qershor 2014, gjatë një operacioni që çoi në sekuestrimin e 278 kileve kokainë. I dënuar me 13 vjet burg, duke korruptuar një pjesë të mirë të personelit të burgut arrin të ketë akses në komoditete të ndryshme, të organizojë takime pune e të ketë celular gjatë gjithë kohës. I mbyllur në qeli, por i armatosur me celular, Rexhepi shfrytëzon kontaktet në Evropë dhe paratë e drogën e Montenegro Castillos për t’i dhënë jetë Kompanisë Bello.

Karteli është unik në llojin e vet: ka formën e një federate ndërkombëtare dhe përbëhet krejtësisht nga organizata kriminale shqiptare me bazë në Evropë, 14 saktësisht, kapo i të cilave është Rexhepi. Është ai që iu siguron drogën dhe gjithmonë ai që merret me llogaritë, asnjë ndërmjetës midis Tiranës e QUitos. Për herë të parë në histori, narkot shqiptarë nuk duhet t’u drejtohen përfaqësuesve në Evropë të karteleve amerikanojugore, as mafieve italiane, janë vetë ata që menaxhojnë trafikun, nga fillimi në fund.

Logjika e Kompania Bellos është e thjeshtë por praktike: kokaina dërgohet me anije në Evropë, ku hyn përmes porteve të Anversës e Roterdamit, paratë pastrohet përmes sistemit kinez fei ch‘ien, anëtarët komunikojnë me shërbime të kriptuara dhe organizojnë shpesh takime për të rrahur idetë për metoda të reja transporti, shmangie të hetimeve dhe riciklim të parave. Megjithatë, asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur pa një element thelbësor, korrupsionin. Të korruptuar ishin gardianët e burgut të Quitos, ashtu si dhe personeli i porteve ku zbarkonin ngarkesat e drogës.

Organizata bazohej mbi një kod sjelljeje të bazuar te heshtja e besnikëria. Çdo anëtar duhej të pranonte zbatimin e disa rregullave, midis tyre edhe hakmarrjen te familja e tij në rast tradhtie. Kapobandat impenjoheshin në rekrutimin e ushtarëve të rinj midis shqiptarëve jashtë vendit, sidomos në Holandë e Itali, duke krijuar një klimë heshtjeje të papërshkueshme nga tentativat për infiltrim nga ana e policisë.

Epopeja e Kompanisë Bello vazhdoi deri më 15 shtator të vitit të kaluar, kur Europol, Interpol e polici të ndryshme kombëtare arrestuan 20 persona në dhjetë vende, midis tyre Shqipëria, Italia, Rumania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke i dhënë fund burgosjes së praruar të Rexhepit. Në pesë vitet që paraprinë operacionin finale, me emrin e koduar Los Blancos, janë arrestuar 84 trafikantë të kartelit në Itali, Ekuador, Holandë, Britani, Zvicër e Gjermani.

Narkot shqiptarë në pushtimin e Ekuadorit

Rexhepi është unik në mënyrën se si diti të krijojë një narko-perandori ndërkombëtare shqiptare, nga fillimi në fund, por nuk është krimineli i vetëm shqiptar që ka bërë pasuri në Ekuador. Vendi ka zbuluar vitet e fundit se ka një problem me narkotrafikun shqiptar.

Hetimet zyrtare kanë saktësuar se nga 180 qytetarë shqiptarë që kanë hyrë në Ekuador më 2018, të paktën 20 kanë qenë trafikantë të mundshëm droge. Një sulm i lehtë, i nisur në fillim të viteve 2000 e i fshehur nën hijen e korrupsionit gjigant dhe një mijë problemeve të tjera, deri sa kohët e fundit prishi heshtjen dhe nisi të bëjë zhurmë, zhurmë armësh. Vija e gjakut që kanë lënë pas narkot shqiptarë në Ekuadorin jodyshues është e gjatë dhe këtu janë vetëm disa nga ngjarjet më të rëndësishme për t’u përmendur:

Guayaquil, 11 prill 2013. Vritet me pistoletë gazetari investigativ Fausto Valdiviezo, me karrierë e famë ndërkombëtare prej 29 vjetësh. Porositësi dhe ekzekutori mbeten të panjohur edhe sot, por hetimet kanë bërë që hetuesit të dyshojnë për përfshirjen e Adriatik Tresës, narkotrafkant shqiptar që hyri në vend më 2011.

Guayaquil, maj 2017. Disa vrasës me motorë vrasin Ilir Hidri, nakrotrafikant shqiptar.

Guayaquil, nëntor 2017. Një komando hap zjarr nga një makinë në drejtim të Remzi Azemi, i dyshuar si narkotrafikant shqiptar, i cili arriti të mbijetonte.

Guayaquil, mars 2018. Vrasës profesionistë të maskuar si policë vrasin bashkëshortët Kaçaniç, malazez me kombësi shqiptare.

Guayaquil, 20 nëntor 2020. Vrasës të maskuar si policë (të njëjtët?) vrasin Tresën. Njeriu që jetonte në një banesë luksoze në zemër të La Aurora, komuniteti i mbyllur më ekskluziv i qytetit, vritet nga një skuadër e përbërë nga tre deri në shtatë persona.

Por pse Ekuadorin? Arsyet janë të shumta, nga kufijtë e pambrojtur deri te niveli i lartë i korrupsionit në forcat e rendit, pozita gjeostrategjike e porteve, deri te ekonomia pa një mekanizëm kundër riciklimit të parave të pista. Për më tepër, prania e një panorame kriminale të decentralizuar e të shpërndarë, ndryshe nga Kolumbia, Brazili apo Meksika, që iu lejon grupeve kriminale të huaja një shkallë të lartë autonomie, siç e vërteton Kompania Bello dhe larja e hesapeve midis bandave të ndryshme shqiptare që vepronin në Guayaquil.

Një gjë është e sigurt: odiseja e narkotrafikut shqiptar në Ekuador nuk ka marrë fund me shkatërrimin e Kompanisë Bello e as me ekzekutimin kinematografik të enigmatikut e të frikshmit Adriatik Tresa. Rexhepë e Tresa të rinj do të dalin në mënyrë të pashmangshme, sepse tashmë në realitetin kriminal të Quito e Guayaquilit flitet më tepër shqip se spanjisht.

Marrë nga Insideover

Artikulli i mëparshëmFitch Solutions ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për 2021, integrimi do përballet me sfida
Artikulli i radhësSTUDIMI/ Personat e infektuar me variantin britanik mund të jenë 60% më të rrezikuar për t’u shtruar në spital