Dhjetëra banorë të fshatit Damasi të Tirnavos, ku të paktën 80 shtëpi janë rrënuar nga tërmeti i fuqishëm prej 6 rihter, që ka goditur zonën e Thesalisë, në Greqinë qendrore, mesditën e së mërkurës, kanë kaluar një natë të vështirë në çadrat e ngritura nga autoritet lokale me frikën e tërmeteve të tjera, ndërsa temperaturat kanë qenë tepër të ulëta.
Mbi 300 persona të tjerë janë çuar me autobusë në hotele të zonës së Trikales.
“Shtëpitë janë në një gjendje shumë të keqe dhe ne nuk dimë ku të shkojmë ose çfarë të bëjmë. Në këtë moment, autobusët do të na dërgojnë në një hotel në Trikala për të fjetur një natë”, shprehet një banor vendas, 22-vjeçari Bratsidas Vasilis.
Lëkundjet pas tërmetit kryesore nuk kanë reshtur gjatë gjithë natës, ndërsa një prej tyre, pak para mesnatës, ka qenë 5.3 ballë shkalla Rihter.
Edhe në fshatin Mesohiri të Elasones shtëpitë e rrënuara numërohen mbi 40, ndërsa është dëmtuar kisha dhe shkolla.
Kryeministri grek Mitsotakis ka përgëzuar drejtorin e një shkolle të vjetër, gati 80-vjeçare i cili ka nxjerrë 62 fëmijë që bënin mësim gjatë tërmetit, pa u lënduar askush prej tyre.
“Vetëm fakti se i morëm në rregull fëmijët tanë nga shkolla e cila ka pësuar kaq shumë dëmtime,mjafton, gjithçka tjetër bëhet, vetëm qe morëm fëmijët nga shkolla në rregull, mjafton ,asgjë më shumë se kaq”, shprehet në banore.
Sipas informacioneve të deritanishme dëmet më të mëdha i kanë pasur shtëpitë e vjetra, ndaj autoritetet kanë këshilluar banorët të mos hyjnë brenda derisa të bëhet regjistrimi i dëmtimeve si dhe riparimi i atyre shtëpive apo ndërtesave që kanë pësuar vetëm çarje të lehta.
Sizmologët kanë shpjeguar se tërmeti ka ardhur nga e ashtuquajtura e çara e Tiranvos dhe përderisa ishte tepër sipërfaqësore ka qenë kaq i fuqishëm.
Madje, shprehen se ky është edhe shkaku i lëkundjeve kaq të shpeshta që po pasojnë, të cilat do të vazhdojnë për disa javë edhe mund të jenë të fuqishme.