Shqipëria ka bërë hapa pas në luftën kundër pastrimit të parave të lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilat deformojnë tregun e pasurive të paluajtshme dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.
Nga Klodiana Lala
Kur Skënder Methasani mori në duar drejtimin e kompanisë së sekuestruar “Rens 2015” në Shkodër, borxhet ishin kapicë, punëtorët të stresuar dhe pulat ishin aq të vjetra, sa nuk prodhonin më vezë.
Methasani nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara u caktua si administrator nga gjykata në nëntor 2019. Thuajse një vit më pas, ai vendosi që ta jepte biznesin me qira, pasi siç i tha BIRN në një intervistë, ishte e vetmja mënyrë që shteti të arkëtonte para prej saj.
“Shuma e qirasë është 3 milionë lekë të vjetra në muaj, përfshirë edhe detyrimet,” tha Methasani, duke shtuar se kompania drejtohet tashmë nga një ish-menaxher i saj.
E ndërtuar rreth 600 metra larg Harkut të Bërdicës në qytetin verior të Shkodrës, pularia njohu vite të arta financiare përpara se të sekuestrohej nga Prokuroria si produkt i parave të gjeneruara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës.
Dokumentet gjyqësore të siguruara nga BIRN tregojnë se qindra milionë lekë u investuan në blerje dhe sisteme toke, ndërtime kapanonesh e rrugësh si dhe blerje zogjsh, përpara se biznesi të vendosej nën radarët e autoriteteve shqiptare.
Investime të tilla të financuara nga paratë e aktiviteteve kriminale nuk janë të rralla në Shqipëri -një ndër vendet me rrezikun më të lartë të pastrimit të parave në Europë.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, trafiku i drogës është burimi më i madh i ‘parave të pista’ të identifikuara në ekonominë shqiptare, ndërsa metodat e pastrimit të tyre janë nga më të thjeshtat deri tek ato më komplekset.
Metodat më të zakonshme janë përdorimi i personave të tretë pa një lidhje të dukshme me veprimtarinë kriminale për investime e blerje si dhe investimet në pasuri të paluajtshme në emër të një shoqërie tregtare ekzistuese. Megjithatë, njësia e inteligjencës financiare rendit edhe depozitimin cash nëpër banka apo përdorimin e kredive bankare si një mënyrë për të justifikuar investimet që burojnë nga pastrimi i parave.
Për ekspertët e ekonomisë, paratë e “pista” qarkullojnë pothuajse në të gjitha arteriet e ekonomisë së brishtë shqiptare dhe financojnë deri edhe korrupsionin politik.
“Asnjë individ, famije, biznes dhe shtet nuk mund të pasurohet ekonomikisht dhe në mënyrë të qëndrueshme, duke toleruar paranë kriminale në ekonomi dhe politikë,” thotë Arben Malaj, ish-ministër i Financave dhe pedagog i Ekonomisë.
“Ndikimi i tyre kriminal në ekonomi ecën ose ndalet në raport me aksesin e tyre në korrupsionin politik dhe në disa raste, deri në kapjen e shtetit,” shtoi ai.
Tregues në rënie
Departamenti amerikan i Shtetit vlerësoi se qeveria e Shqipërisë nuk ka bërë asnjë përparim të dukshëm në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimeve financiare gjatë vitit 2020.
Në raportin e Strategjisë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve të publikuar më 3 mars, DASH thekson se rrjetet shqiptare të krimit të organizuar në Europën Perëndimore dhe Amerikën Latine targetojnë tregun e pasurive të patundshme dhe projektet e biznesit në Shqipëri.
Tregu i lojërave të fatit vazhdon gjithashtu të mbetet shqetësues, sa kohë që ndryshimet ligjore të vitit 2019 e lanë hapur shtegun për kazinotë në hotelet me 5 yje si dhe në destinacionet turistike.
“Shqipëria mbetet e dobët ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare,” thuhet në raport.
Të dhënat statistikore të siguruara nga BIRN tregojnë një përkeqësim të treguesve të luftës kundër pastrimit të parave në vitet e fundit, pavarësisht rrezikut të lartë dhe rritjes së sinjalizimeve nga institucionet e inteligjencës.
Kreu i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Elvis Koçi i tha BIRN se institucioni që ai drejton i kishte referuar Policisë 1426 raste të dyshuara gjatë viteve 2015-2019, por vetëm 429 raste ose 30% e totalit ishin dërguar më pas në Prokurori.
Bashkë me referimet në Prokurori, institucioni i inteligjencës financiare numëron 1855 raste të raportuara në 5 vjet.
“Nga këto raste rezulton se kemi një dominim të veprës penale ‘trafikim/prodhimit të lëndëve narkotike” me 28% të rasteve [ndërsa] 13% lidhen me veprën penale të ‘evazionit fiskal,” tha Koçi.
Ndërsa rrjedhja e parave të identifikuara me burim nga shpërdorimi i detyrës dhe korrupsioni, mashtrimi apo trafikimi i qënieve njerëzore është në nivele më të vogla.
Beteja kundër pastrimit të parave ka shënuar humbje të tjera në rrugëtimin nga Prokuroria në Gjykatë.
Numri i procedimeve të regjistruara nga Prokuroritë për pastrim të produkteve penale u përgjysmuan nga 269 raste në vitin 2018 në 131 raste në vitin 2020. Numri i të dënuarve nga gjykatat është rrudhur gjithashtu nga viti në vit dhe arriti nivelin më të ulët në vitin 2020 me vetëm 3 të dënuar për pastrim parash, sipas raportit të DASH.
Efektet e një sistemi të dobët të drejtësisë vërehen edhe në stokun e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, që administrohen aktualisht nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK.
Në fund të vitit 2020, AAPSK kishte nën administrim 466 pasuri me vlerë të llogaritur në 6 miliardë lekë [rreth 50 milionë euro]. Megjithatë, numri i pasurive të konfiskuara me vendim gjykate është në nivelin e 15 përqindëshit, ndërsa për pjesën tjetër vazhdojnë procedurat ligjore.
Kreu i AAPSK, Artur Kala e konsideron zvarritjen e proceseve gjyqësore një ndër problemet kryesore për institucionin që ai drejton.
“Zgjatja e proceseve nga 2-5 vite është një problem për Agjencinë, pasi ka dhe prona që administrimi është i vështirë ose që nuk sjellin të ardhura, por kërkojnë shpenzime,” tha Kala, duke iu referuar shpenzimeve për ruajtjen dhe sigurimin, taksat apo ujin dhe energjinë.
“Dua publicitet të mirë”
Më 14 dhjetor 2018, autoritetet daneze po ndiqnin një grup shqiptarësh të përfshirë në trafikun e sasive të mëdha të kokainës, kur përgjuan një bisedë interesante mbi lehtësinë e pastrimit të parave në Shqipëri.
Objekti i përgjimit ishte Jetmir Kastrati, një 42-vjeçar nga Shkodra, që në Danimarkë njihej me emrin e rremë Sokol Krasnici, i identifikuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si pronari i vërtetë i kompanisë “Rens 2015”.
Në bisedën me një tjetër të dyshuar, Kastrati mburrej se kishte blerë tre apartamente në zonën turistike të Velipojës dhe pasi kishte ndërtuar nga një kat shtesë mbi to, i kishte legalizuar pa problem objektet dhe i kishte pajisur ato me hipotekë.
Përballë habisë së bashkëbiseduesit për legalizimin e objekteve, Kastrati përgjigjet se e gjitha zona ishte në ndërtim e sipër.
“Përsa kohë që lejohet, gjithçka shndërrohet në ndërtesa, ndërtesa…,” thotë Kastrati në përgjimin ambiental. “Është vërtet bukur. Mund të ndodhë që unë e blej të gjithin [kompleksin]”!
Jetmir Kastrati u arrestua në Danimarkë gjatë operacionit të koduar “Goldfinger” më 26 qershor 2019 së bashku me 30 persona të tjerë, të cilët akuzohen për trafikimin e së paku 1650 kilogramëve kokainë nga Holanda në Danimarkë dhe më pas në Suedi.
Në Shqipëri, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas SPAK nisën në të njëjtën kohë një procedim penal për pastrimit të produkteve të veprës penale ndaj kunatit të tij, Astrit Beqiri si dhe Dhimitër Shkodranit – i përfshirë kryesisht në transportin e parave.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Jetmir Kastrati kontrabandoi në Shqipëri së paku 4 milionë euro të dokumentuara nga viti 2013 deri në vitin 2019, duke përdorur një linjë të transportit të pasagjerëve që udhëtonte çdo javë nga Kopenhageni deri në Tetovë në Maqedoninë e Veriut.
Paratë u investuan në blerjen e pronave të patundshme në Velipojë, në ndërtime dhe legalizime si dhe në ngritjen e biznesit të kushtueshëm të pularisë “Rens 2015” në Bërdicë nga kunati i Kastratit, Astrit Beqiri, nëna pensioniste dhe motra në skemën e ndihmës ekonomike.
Në përgjimin ambiental të 14 dhjetorit 2018, Kastrati thotë se kishte shpenzuar shumë para për ngritjen e kompanisë dhe se e kishte bërë këtë për të fituar reputacion. Ai po planifikonte gjithashtu të siguronte subvencionim nga shteti, por për ta realizuar këtë duhej të ndante një pjesë ‘të tortës’.
“Ka një gjë që është e mirë me mua: unë dua publicitet të mirë,” citohet Kastrati në dokumentet gjyqësore.
“Ju nuk mund të merrni asgjë nëse ata nuk marrin pjesën e tyre të tortës dhe nuk mund të bëni asgjë në lidhje me të. Unë vetëm u jap atyre një 50-tëshe dhe i marr 150 deri në 200 [milionë] vetë,” shton ai.
Pasuritë e sekuestruara nga krimi i organizuar vlerësohen në dhjetra milionë euro, por Shqipëria e ka të vështirë të nxjerrë përfitime të konsiderueshme prej tyre.
Në shtatë vitet e fundit, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka derdhur në buxhetin e shtetit rreth 866 milionë lekë në total [rreth 7 milionë euro] si dhe ka hapur një fond të veçantë prej 93 milionë lekësh në vitin 2019 për të financuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe organizatat që trajtojnë viktimat e këtyre krimeve.
Në stokun e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, peshën kryesore e mbajnë pasuritë e paluajtshme, por AAPSK përballet me vështirësi për shitjen e tyre.
“Pasuritë e paluajtshme si apartamente, toka, ndërtesa dhe njësi tregtare të konfiskuara kanë dalë për shitje dhe në 3 ankandet e zhvilluara nuk ka pasur blerës,” tha Artur Kala në një përgjigje me shkrim.
Ortakëria me krimin
Një valë e re arrestimesh nga Antimafia italiane në mesin e janarit zbuloi se një klan i organizatës mafioze “Ndragheta” i kishte hedhur sytë nga tregu i ndërtimeve në Tiranë për pastrimin e parave, ndërsa ishin në kërkim të lidhjeve politike dhe garancisë. Në njërën prej bisedave të përgjuara, dy prej të arrestuarve diskutonin mbi një ndërtues që kishte tre licensa në duar për ndërtime me vlerë 180 milionë euro, por që kishte në dispozicion vetëm 10 milionë.
“Në grataçelat e reja shiten 3800-4000 euro për metër katror. Kosto e di sa është kosto e vërtetë? 510 euro,” thuhej në përgjime.
Mes të dhënave të institucioneve dhe studiuesve të ekonomisë ekziston një konsensus se sektori i ndërtimit është lavatriçja më e madhe e parave të pista në Shqipëri.
“Shihni tregun e pasurive të patundshme: që nga 2015 raportohet për rritje me 40% të çmimeve, edhe pse shitjet janë me pikatore dhe vetem në zona të caktuara. Shihni lejet e ndërtimit për kullat qiellgërvishtëse në Tiranë,” tërheq vëmendjen Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.
“Nuk kanë asnjë lidhje me zhvillimin urban, nuk hapin vende pune, por korruptojnë nivelet më të larta të vendim-marrjes shtetërore,” shtoi ai.
Preçi mendon gjithashtu se burimet financiare kolosale të gjeneruara nga ndërtimi po zhvendosen drejt tregjeve të tjera, duke ushtruar presion mbi tenderat e infrastrukturës publike dhe koncesionet. Ai sheh me shqetësim se këto para po ndikojnë gjithnjë e më shumë edhe mbi mjedisin politik.
“Vitet e fundit janë shtuar rastet kur biznese të dyshuara gjerësisht si të përfshira në pastrim parash gëzojnë mbrojtje politike, janë në ortakëri me politikanë të rëndësishëm të shtetit dhe këto para po ndikojnë përherë e me shumë edhe në deformimin e vullnetit te zgjedhësve,” tha Preçi.
Arben Malaj i tha BIRN se ekonomia kriminale jo vetëm që ka një ndikim të dëmshëm mbi konkurrencën në ekonomi, por i shtrin efektet deri te shtesat me të ardhura të mesme ose të vogla.
“[Paratë e pista] deformojnë çmimet në tregjet e tyre, p.sh. çmimet e shtëpive dhe qiratë, tarifat e pastrimit të qyteteve, ndërtimi, lojërat e fatit…,” tha Malaj.
Në kushtet e mungesës së vullnetit politik, ekspertët e shohin të dobët rolin e institucioneve të drejtësisë në luftën kundër fenomenit të pastrimit të parave.
“Eficenca e këtyre insitucioneve kushtëzohet nga (mos) mbështetja apo keqpërdorimi politik i agjencive të specializuara në luftë kundër pastrimit të parave për përfitime ekonomike apo përfitime në luftën kundër konkurrentëve politikë,” përfundoi Malaj. /BIRN