
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka intensifikuar hetimet ndaj ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke kaluar në një fazë të re me kontrolle të gjera në rrethin e saj familjar dhe ekonomik.
Me vendim të gjykatës janë autorizuar të paktën 15 kontrolle, të cilat janë ushtruar në banesa dhe ambiente biznesi të personave të lidhur me Ballukun. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se aksioni përfshin edhe verifikime të thelluara mbi pasurinë dhe transaksionet financiare.
Ndër personat e kontrolluar është edhe Mired Reçi, i afërm i Ballukut, i cili rezulton ortak me 49% në dy subjekte tregtare, “XL MARKET” shpk dhe “Hippo Tregu Elektrik” shpk. Në këto kompani, aksioner tjetër është Meland Qirko, i lidhur familjarisht me ish-zyrtaren e lartë.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar pajisje elektronike, përfshirë telefona celularë, si dhe dokumentacion që konsiderohet me vlerë për hetimin. Ky zhvillim vjen pas aksioneve të mëparshme të zhvilluara në dhjetor 2025 dhe janar 2026, duke sinjalizuar një vijimësi të fortë të hetimit.
Në kuadër të dosjes, prokurorët kanë kërkuar gjithashtu informacion nga autoritetet ndërkombëtare përmes letërporosive, çka tregon se hetimi ka shtrirje edhe jashtë territorit shqiptar.
Belinda Balluku është aktualisht e pandehur për çështjen e tenderit të Tunelit të Llogarasë dhe po hetohet edhe për procedura të tjera të mëdha infrastrukturore, përfshirë lotet e Unazës së Madhe, me vlera që arrijnë qindra miliona euro.
Ndaj saj janë në fuqi dy masa sigurie: ndalim i daljes jashtë vendit dhe pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike. Më herët, shumica parlamentare rrëzoi kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të saj.
Me zhvillimet e fundit dhe thellimin e hetimeve, mbetet e hapur mundësia që organi i akuzës të rikthejë sërish kërkesën për arrest, në varësi të provave të reja që po mblidhen.
