Kina nisi me lëshimin e certifikatave digjitale të vaksinimit kundër koronavirusit. Certifikatat u ndahen qytetarëve të saj që planifikojnë të udhëtojnë jashtë vendit. Ato përmbajnë statusin e vaksinimit të një personi dhe rezultatet e testit të virusit.
“Çertifikatat po shpërndahen për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike botërore dhe për të lehtësuar udhëtimet ndërkufitare”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze. Aktualisht, certifikatat janë në dispozicion vetëm për qytetarët kinezë dhe ato nuk janë ende të detyrueshme.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania janë disa nga vendet e tjera që po shikojnë mundësinë e lëshimit të lejeve të ngjashme. Edhe Bashkimi Evropian është duke punuar në të ashtuquajturat “pasaporta të vaksinës”, që do t’iu lejonin njerëzve të udhëtojnë midis vendeve anëtare dhe jashtë tyre.
Në Kinë, agjencia shtetërore e mediave Xinhua tha se certifikata përfshin një kod QR, i cili i mundëson secilit vend të marrë informacione për shëndetin e udhëtarëve. Certifikata do të jetë e disponueshme edhe në formë letre. Por, programi ka shkaktuar shqetësime për privatësinë dhe frikë për rritje të mbikëqyrjes nga qeveria.