Emisioni “31 minuta” që financohet nga SHBA ka patur në fokus dekriminalizimin, ku ka zbuluar se Tom Doshit nuk i është ndaluar hyrja vetëm në SHBA, por edhe në Australi.
Investigimi ka treguar që Doshit i është ndaluar hyrja në Australi nga Ministria e Brendshme australiane në qershor të vitit 2015, pasi bazuar në informacione konfidenciale të ministrisë, Tom Doshi nuk e kalonte testin e karakterit.
“31 minuta” ka kontaktuar edhe me avokatin e Tom Doshit, Vladimir Meçen. Avokati thotë se gjykata australiane ka “shpallur” defakto fitues Doshin, duke i lënë barrën e provës ministrisë së Brendshme që të provojë arsyet pse Doshi nuk e kalon dot “testin e karakterit”.
“Ky vendim apo kjo masë e marrë nga ministri i Brendshëm i Australisë është revokuar, është pranuar pjesërisht ankimi i z.Doshit dhe çështja i është kthyer sërish ministrit të Brendshëm. Kush është familjar me procesin gjyqësor, gjykata ka vendosur rimbursimin e shpenzimeve gjyqësore, Doshi mori 21 mijë dollarë, dhe rimbursimi bëhet për palën fituese. Fakti që i është ndaluar apo revokuar viza në Ministri të Brendshme s’përbën shkak për të mos garuar në zgjedhje. Po pret një vendim nga ministri. Republika e Shqipërisë është një shtet i së drejtës, kemi këtë në Kushtetutë, në nenin 4. E përsakohë që në ligjin për dekriminalizimin kjo nuk quhet pengesë ligjore është e drejta e një individi që të kandidojë edhe kur i ndalohet hyrja në një shtet”, tha Meçe.
Doshit iu refuzua edhe viza amerikane në vitin 2018, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli “non grata”, por deputeti tha se nuk e kishte problem pasi kishte vizë australiane.