Policia në Greqi thotë se tre oficerë janë plagosur në përleshjet që ndodhën në një protestë në Athinë kundër brutalitetit të policisë. Një nga oficerët u plagos rëndë, konfirmoi policia.
Rreth 5,000 njerëz dolën në rrugët e Athinës të martën në mbrëmje në përgjigje të një video që duket se tregon një burrë duke u rrahur të dielën në qarkun Nea Smyrni.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e ka dënuar dhunën.
Protestuesit u mblodhën në Nea Smyrni, zona e banimit ku u xhirua video, duke mbajtur parulla me shkrim “policë ikni nga lagjet tona”.
Një grup tjetër protestuesish, të veshur me maska, hodhën shishe benzine dhe gurë drejt oficerëve dhe një stacioni policie, raporton agjencia e lajmeve AFP. Policia u përgjigj duke qëlluar me gaz lotësjellës dhe top uji.
Oficeri i plagosur u tërhoq zvarrë nga motoçikleta e tij dhe u rrah nga protestuesit, tha policia.
Të paktën 10 protestues janë arrestuar.
“Pamjet e trishtueshme të dhunës që pamë të gjithë sonte në Athinë duhet të jenë të fundit. Dhe jeta e njërit prej bashkëqytetarëve tanë, një polici i ri që u rrezikua, duhet të na zgjojë,” tha z. Mitsotakis. “Unë nuk do të lejoj askënd të na përçajë.”
©