Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për 23-vjeçarin Ernejt Shyti, i arrestuar dy ditë më parë, për vrasjen e Behar Sofisë, në mes të Tiranës. Me kokën ulur, i heshtur, 23-vjeçari është ulur sot në bankën e të akuzuarve përpara trupit gjykues.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se 23-vjeçari Shyti, pas vrasjes së Bujar Sofisë, ka bërë një inskenim, duke çaluar për t’i shpëtuar kamerave të sigurisë.
Ekspertiza e provave të gjetura në vendndngjarje, është bërë në Britaninë e Madhe, për të pasur një rezultat më të saktë të ADN-së.
Gjithashtu, masa e sigurisë arrest me burg është caktuar edhe për Xhuljano Vishën 28 vjeç, Leonard Xhixhën 30 vjeç dhe Skënder Vathin 54 vjeç. Dy të fundit, kanë pohuar se janë kushërinj me njëri-tjetrin, por se nuk kanë lidhje me vrasjen.
Sipas hetimeve të deritanishme, Behar Sofia që konsiderohet nga Policia e Shtetit si “baron i drogës” është vrarë për shkak të konflikteve të hershme për trafikun e heroinës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë dhe më pas në vendet e BE.
Policia dhe Prokuroria është vënie në ndjekje të një grupi shumë të fuqishëm kriminal me të cilin Behar Sofia edhe pse ishte tërhequr nga aktiviteti kriminal dhe mbante një profil të ulët publik kishte hesape të pambyllura.
Në informacionet që prokuroria disponon ka dhjetëra pamje filmike të kamerave të sigurisë ku shfaqen personat e dyshuar duke kontaktuar me njeri-tjetrin dhe duke bërë plane për ekzekutimin e Behar Sofisë.
Ka pamje filmike të Skënder Vathit, ka lëvizje të automjetit të tij që është vëzhguar pas ngjarjes nga policia, ka deklarime nga vëllai binjak i Ernejt Shytit, të nënës së tij, deklarime të një pjesëtari të komunitetit rom, i cili është shoqëruar si i dyshuar dhe liruar më pas, i cili ka dhënë detaje rreth identitetit të autorit.
Ka qeliza telefonike që provojnë faktin që personat e arrestuar janë takuar gjatë, një muaj para se të kryhej vrasja, në disa vende të ndryshme. Po kështu ka pamje filmike të lëvizjeve të Xhuliano Vishës dhe Ernejt Shytit nga Tirana në drejtim të Krrabës dhe ndërkohë ka dhe lëvizje të tyre me autobusë të linjës. Janë të gjitha provat që në harmoni me njëra-tjetrën pohojnë katërcipërisht faktin se Ernejt Shyti është autori i ngjarjes, por dhe ai vetë e ka pranuar.
Ka të gjitha provat se ky grup i strukturuar kriminal, nën organizimin e Skënder Vathit dhe bashkëpunim të Xhuliano Vishës që ka rekrutuar Ernejt Shytin por dhe të Leonard Xhixhës, kanë ekzekutuar Behar Sofinë.