Greqia ka vendosur të vazhdojë përdorimin e vaksinës AstraZeneca, e cila është pezulluar në disa vende europiane. Në një deklaratë të publikuar pas takimit të jashtëzakonshëm të mbajtur nga Komisioni Kombëtar i Vaksinimit Grek (EEE), u theksua se rastet e mpiksjes së gjakut të vërejtura pas aplikimit të vaksinës AstraZeneca në disa vende evropiane janë “raste të izoluara”.
Në deklaratë bëhet e ditur se u vendos të vazhdohet vaksinimi ashtu siç ishte planifikuar më parë. Më tej thuhet se vendimi është marrë në përputhje me vendimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) mbi aplikimin e vaksinës AstraZeneca dhe në përputhje me rrethanat, vaksinimi në vend do të vazhdojë siç është planifikuar. Ministri grek i Shëndetësisë, Vassilis Kikilias, deklaroi se do të vazhdojnë të aplikojnë vaksinën AstraZeneca nëse nuk ka ndonjë udhëzim nga EMA dhe u bëri thirrje qytetarëve të jenë të qetë dhe të mos vonojnë me vaksinimin.
Kikilias theksoi se deri më tani 172 mijë doza të vaksinës AstraZeneca janë aplikuar në Greqi dhe nuk janë vërejtur efekte anësore. Përdorimi i vaksinës Oxford-AstraZeneca, një nga vaksinat e para të zhvilluara kundër koronavirusit të ri (COVID-19), u pezullua përkohësisht në disa vende me arsyetimin se mund të shkaktonte sëmundje të tilla si okluzion vaskular dhe embolia pulmonare, duke shkaktuar mpiksjen e gjakut.//AA