Vangjel Dule flet për herë të parë për zgjedhjet e 25 prillit

0
Image preview

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), Vangjel Dule foli përballë gazetares Ilva Tare në Euroenws Albania rreth kandidimit në Tiranë dhe jo në Vlorë si dhe problemet me të cilat përballet minoriteti grek në Shqipëri.

Vangjel Dule tha se kishte pranuar të kandidojë në Tiranë “për të mirë të koalicionit me PD-në”. Ai tha se të vetmin pendim për këtë zgjedhje kishte “faktin se nuk do ta shihte përballë gjatë fushatës Edi Ramën”, i cili kandidon sërish në Vlorë.

Ai thotë se zgjedhja e parë do të ishte kandidimi në Qarkun e Vlorës pasi në atë zonë ka zhvilluar betejat e tij politike, por pranoi të garonte në Tiranë për të mirë të koalicionit.

“Kandidimi në Tiranë nuk ishte zgjedhja ime e parë dhe natyrshëm që gjithsecili shpreh surprizën. Zgjedhja  ime e parë do të ishte Vlora, sepse është qarku që kam dhënë betejat e mia elektorale. Nuk konsiderohem nga deputetët shtegtar, më pëlqen të jem i qëndrueshëm me elektoratin tim”, deklaroi ai.

“Thirrja jonë është që vota të shkojë për koalicionin tonë dhe nga ana tjetër ata që kanë kënaqësinë dhe besimin e që dëshirojnë ta japin edhe në nivel personal janë të mirëpritur”, tha kreu i PBDNJ-së.

“Por, kjo zhvendosje në Tiranë është rrjedhojë e bashkëpunimit të një numri të konsiderueshëm forcash politike me një mision të përbashkët dhe rrjedhimisht nuk ishte kritik parapëlqimi im persona dhe me vullnetin tim të plotë pranova aspektin e funksionalitetit të kandidaturës”, shtoi kreu i PBDNJ-së.

“Situata në vendin tonë politike janë situata emergjente dhe situatave emergjente  nuk mund të zgjedhin në mënyrë klasike, ose situatave asimetrike.  Rrjedhimisht nuk është kaos se në një koalicion kaq të gjerë që gjenden forcat politike, që midis tyre kanë edhe aspekte të kundërta. Janë kushte politike që imponojnë”, tha ai.

Ai shtoi se PBDNJ-ja ka një aleancë dypalëshe, njërën me PD dhe tjetrën me partitë e tjera që ndodhen brenda koalicionit të gjerë opozitar. Ambiciet e çdo partie brenda koalicionit sipas z. Dule nuk mund të çojnë në përplasje.

“PBDNJ ka një aleancë dypalëshe, me PD dhe brenda koalicionit të gjerë ka dhe një rreth bashkëpunimi me PDK, PR, PAA dhe LZHK. Gjithsecili mund të këtë ambiciet e veta. Jam besnik i platformës sonë, Republikës së Shqipërisë i duhet dimensioni human pa të cilin nuk mund të hedhim hap drejt BE”, shtoi Dule.

Partia e drejtuar nga z. Dule do të ketë në listën e PD, ku kandidatë në Qarkun e Vlorës dhe dy të tjerë në Korçë.

Ai tha se në Vlorë, votat e PBDNJ-së do të sjellin përmbysjen e raportit aktual në Vlorë, ndërsa në Tiranë do të kenë sfidën për të kompaktizuar elektoratin, gjë të cilën nuk e kanë bërë në zgjedhjet e kaluara.

Sipas kryetarit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, e drejta e pronës është një nga problemet më kryesore që po has minoriteti grek në Shqipëri.

Në intervistë me gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania, Dule tha se minoritarëve të bregdetit juglindor “po u rrëmbehet masivisht prona”. Ai drejtoi akuza të forta ndaj qeverisë së Edi Ramës duke e konsideruar ligjin për investime strategjike si “klientelizëm i kryeministrit në dëm të pronarëve të ligjshëm”.

“Ajo që po ndodh sot në bashkinë e Himarës, ajo që ka ndodhur gjatë viteve të drejtimit të saj nga zoti Goro nën drejtimin e zotit Rama, janë të paprecedenta, nuk kanë ndodhur në asnjë bashki dhe në asnjë vend tjetër edhe masiviteti edhe intensiteti i tjetërsimit të pronave të komunitetit autokton është i paprecedentë,” – u shpreh Dule.

Kryetari i PBDNJ-së këmbënguli se për çështjen e pronave ka folur jo vetëm për minoritarët, por për të gjithë ata që kanë rënë pre e abuzimeve, mirëpo theksoi se problemin kryesor e kanë hasur minoritarët.

Dule u shpreh se ende Shqipëria nuk ka arritur standardet e kërkuara edhe nga BE-ja për respektimin e të drejtave të minoriteteve. Dule tha se ligjet e miratuara për minoritetet janë gjysmake. Ai tha se nuk është vetëm Greqia që e kushtëzon rrugën e Shqipërisë me respektimin e minoriteteve, por edhe vetë Brukseli.

Kuadri ligjor i respektimit të të drejtave, ishte problemi i dytë i minoritarëve, që sipas Dules “është problem vetëm me Ramën”. Ai tha se gjatë qeverisjes së tij u bë një ndarje administrative-territoriale “shumë të kritikueshme”.

Artikulli i mëparshëmZona e lirë ekonomike e Spitallës/ Financat hapin garën për t’ia kaluar privatit
Artikulli i radhësRama paralajmëron masa më të rrepta për COVID-in/ Tubimet e Bashës janë rrezik…