Sokol Cikalleshi po kalon një moment shumë të mirë me skuadrën e Koniasporit në Turqi, ku po shënon rregullisht, ndërkohë që tashmë është grumbulluar edhe me Kombëtaren, për 3 ndeshjet e muajit mars, ndaj Andorrës, Anglisë dhe San Marinon.
Në një konferencë për mediat, nga grumbullimi me Kombëtaren, sulmuesi kavajas, është shprehur se kuqezinjtë duhet të bëjnë maksimumin, për të marrë rezultat pozitiv.
Gjithashtu Cikalleshi ka thënë se nuk duhet nënvlerësim për Andorrën, duke shtuar se ekipi duhet të mendojë vetëm për fitore, jo kush shënon gola.
“Objektivi ynë i radhës, është si në aspektin personal dhe për ekipin, që ta nisim me këmbën e parë. Objektivi është të marrim një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë. Është një ndeshje që duhet të vlerësohet shumë. Është një ekip më i dobët se ne, por nga historia, kemi pasur shumë situata që kemi pasur vështirësi. Jemi të fokusuar për të marrë fitoren.
Anglia? Ne do të synojmë maksimumin, por duke parë Anglinë, ajo që na mbetet ne është që të shfaqim gjithçka në fushë. Nëse kualiteti i Anglisë vendos ndeshjen, ne na mbetet vetëm të provojmë, por duke vënë shpirtin në garë, mund të arrijmë diçka pozitive. Ekipi është shumë mirë. Lojtarët janë duke luajtur me ekipet e tjera, është një kampionat, shumë i ngjeshur, por nuk e ndjejmë veten të lodhur.
Andorra? Nëse e nënvlerësojmë, atëherë do të ishte një gabim i madh. Nuk do futemi në fushë për të shënuar Cikalleshi, por të fitojmë ndeshjen. Jemi përballë një sfide, që duhet të jemi të gatshëm për ta përballuar. Çdo hap përpara, që mund të arrijmë, duhet përgëzuar. Ne do të provojmë gjithçka për 2 vendet e para, por edhe po të lëmë pas Hungarinë do jetë gjithashtu një hap i rëndësishëm. Ajo që unë dua, është se pavarësisht kundërshtarit, të shfaqim të gjitha cilësitë. Nëse e bëjmë këtë, në çdo pozicion të jemi, të jemi të qetë se kemi dhënë maksimumin. Nëse do kishim fituar në Turqi, mund të ndryshonte fati për kualifikim në Europian. Në fund të edicionit të kemi dhënë gjithçka.
E ardhmja? Unë ndihem shumë mirë në Turqi, u bënë 6-7 vite aty. Kisha një rënie, por u riktheva në elitë. Synimet e mia janë gjithmonë më lart. Nëse më vjen ofertë nga ekipet e kampionateve të mëdha, do e pranoja, por unë jam i lumtur me këtë që kam arritur. Disa gjëra janë me moshë dhe tani jam 30 vjeç, por të ardhmes nuk i dihet”, tha Cikalleshi.