Në përfundim të vaksinimit të të moshuarve mbi 70-vjeç, pas vajzave dhe grave që punojnë në fasoneri radhën për t’u vaksinuar do ta kenë punonjësit e hoteleve. Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me përfaqësues të këtij sektori në Durrës. Kreu i qeverisë tha se ky proces do të nisë nga aty ku ka masë të madhe njerëzish. Rama u shpreh se ky proces do duhet të përfundojë brenda muajit qershor, periudhë kur nis edhe fluksi më i madh turistik.
“Një ditë do ikim të gjithë në botën tjetër dhe kur të paraqiteni në botën tjetër faktin që keni pritur njerëzit gjatë tërmetit, do e paraqisni si certifikatë dhe do jua falen ato që keni bërë. Me vaksinimin masiv jemi të bindur që do e këpusim zinxhirin e infektimeve në shumë pjesë dhe do hapim rrugën për një sezon turistik të lehtësuar. Pasi të mbarojmë me moshat e prekshme të bëjmë vaksinimin e grave në fasoneri dhe vaksinimin e zinxhirit të punonjësve në hotele, sidomos aty ku ka masë njerëzish. Blendi më ka çuar informacion për numrat dhe fashat. Në qershor kur ju keni masën e flukseve kjo gjë të jetë kryer”, tha Rama.