‘Ndryshimin e ndjen kushdo’/ Basha në vijon turin Jug-Veri: Nuk ka asnjë bashkëpunim me Edi Ramën!

0
'Ndryshimin e ndjen kushdo'/ Basha në ndalesën e dytë të turit Jug-Veri: Nuk ka asnjë bashkëpunim me Edi Ramën!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndalesën e radhës e pati në qytetin e Delvinës. Duke bërë thirrje për një bashkim të madh drejt ndryshimit, Basha tha se vota për numrin 9 do të bëj të mundur arsimimin dhe punësimin e rinisë të Delvinës e të mbarë Shqipërisë, do të bëj të mundur rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet e huaja, turizmin dhe zhvillimin ekonomik.

Më poshtë fjala e plotë e kryetarit të PD para qytetarëve të Delvinës.

Lulzim Basha: Mirëmëngjes dhe mirë se ju gjej vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, nëna dhe baballarë, gjyshe e gjyshër, banorë fisnikë të Delvinës, Delvinës së krenarisë së të parëve tanë. Delvinës, kësaj bashkësie njerëzish të mrekullueshëm, të qetë, punëtorë, që kanë ditur ti japin kaq shumë vendit tonë. Njerëz të penës, njerëz të dijes, drejtues, udhëheqës, themelues të shtetit shqiptar.

Jam i lumtur që ndodhem sot këtu, në rrugëtimin tonë nga jugu në veri. Sot nga Saranda në Tropojë, në 9 ndalesa, 9 njësoj si 9 shifra jonë, numri ynë. 9 e ndryshimit me 25 prill. Kudo ku kam qenë këto javë e këto ditë prek entuziazmin dhe dëshirën e njerëzve për ndryshim, prek padurimin e nënave për ndryshim për fëmijët e tyre, prek padurimin e fermerëve që kanë kaluar tetë vite të vështira për ndryshim, prek padurimin e baballarëve për të bërë realitet shpresën dhe dëshirën e tyre për ti mbajtur këtu fëmijët e tyre dhe padurimin e të rinjve, entuziazmin e tyre sepse dita po vjen, ora po vjen, për ta rihapur së bashku rrugën si gjithë Europa, rrugën e Shqipërisë anëtare të Bashkimit Europian.

Vëllezër dhe motra ndryshimi ndjehet kudo , ndihet në sytë tuaj,  në zemrat tuaja, shpresa tashmë ka mbërritur dhe është e pandalshme dita që Shqipëria, Delvina të kthehet tek zotërit e saj të vërtetë që jeni ju, populli i saj, qytetarët e saj. Këtë shpresë për ndryshim, këtë dëshirë për t’i dhënë fund tetë viteve të vështira, e shoh dhe e prek edhe tek socialistet e thjeshtë,

Të cilët njësoj si gjithë qytetarët e tjerë kanë ndarë të njëjtat vuajtje, kanë ndarë të njëjtat dhimbje por dyfish sepse ata kanë besuar, kanë punuar për fitoren e Partisë socialiste, kanë votuar për partinë Socialiste por janë të zhgënjyer dyfish të zemëruar, dyfish kokën ulur. Ju them sot socialisteve ngrijeni kokën bashkohuni me ne vëllezër dhe motra , një popull, një komb, bëhuni pjesë e ndryshimit ejani votoni për numrin 9, ta ndryshojmë Shqipërinë.

Bashkë për ndryshim, bashkë për ti kthyer shqiptarëve shpresën, bashkë për ti dhënë rinis prespektivën, bashkë për ndryshim.

Të votojmë numrin 9 dhe të hapim rrugën e mirëqenies, të ekonomisë dhe të rrogave e pensioneve të larta për çdo shqiptarë, sepse ne kemi një plan, një plan që do të mundësojë që banorët punëtor të Delvinës e mbarë Shqipërisë të mund të gëzojnë frytet e djersës së tyre. Ne e dimë fare mirë se kjo tokë e lashtë ka thesare. Thesaret e të parëve tanë ndodhen nën të.

Thesaret e tjera me të cilat na ka bekuar zoti ndodhet mbi të. Djersa e fermerit të Delvinës, djersa e fermerit shqiptarë e vadit tokën shqiptare çdo ditë por nuk sjellë mirëqenie për ta sepse qeveria në ikje dhe kryeministri në ikje e bëri naftën më të lirë për jahtet se sa për fermerët. Sepse 8 vite me radhë projekti që ne nisëm Kardhiq-Delvinë e la në vend numëro.

Mbeti në baltë ai projekt siç mbeti në baltë e gjithë Shqipëria gjatë këtyre 8 viteve. Ky është një projekt i cili nuk bëhet vetëm për Delvinën por bëhet edhe për Sarandën, bëhet për turizmin, bëhet për Shqipërinë. Ai do të mundësoj që prodhimet e mrekullueshme të fermerëve të Delvinës të kenë mundësi të transmetohen drejt tregjeve të vendit dhe tregjeve ndërkombëtare duke shmangur qafën e bukur por të vështirë të Muzinës.

Por 8 vite me radhë  Edi Rama e la atë projekt në baltë siç i la në baltë fermerët delvinjotë, siç i la në baltë fermerët shqiptarë, siç e la në baltë rininë shqiptare, siç i la në baltë pensionistët shqiptarë.

Dhe tani ka guximin të vijë t’iu kërkojë edhe 4 vite të tjera, edhe 4 vite të tjera pas 8 vitesh që i la qytetet tona në errësirë, e la vendin tonë në errësirë, i la banorët, qytetarët e këtij vendi në varfëri dhe mjerim.

Mos ia hapni derën dështimit për herë të tretë. Nuk ka kërcënim më të madh për familjet shqiptare, nuk ka kërcënim më të madh për Shqipërinë sesa edhe 4 vite të tjera si këto 8 vite që e lanë Shqipërinë në vendnumëro.

Ai e kupton, e ka mësuar tashmë se më 25 Prill shumica dërmuese e shqiptarëve do të votojnë për ndryshimi, do të votojnë për numrin 9, do të votojnë për Aleancën e Ndryshimit.

E ndjen etjen tuaj për ndryshim. E kanë kuptuar shpresën që është rindezur në zemrat e shqiptarëve se ne mund ta bëjmë realitet punësimin për rininë. Se ne do ta bëjmë realitet hapjen e negociatave brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së re. Ai e kupton se ne do të mund të bëjmë realitet të gjitha zotimet tona.

Ndryshe nga premtimet e 8 viteve që nuk i mbajti por i shkeli një nga një.

Tani kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes tonë. Përgjigjja ime nga Delvina, njësoj si nga Saranda është jo! Nuk ka për të ndodhur, koha e Edi Ramës ka mbaruar!

Erdhi dita për votën tuaj, për ndryshimin, për shpresën, për rindezjen e besimit në familjet tuaja, në tokat tuaja, në pronat tuaja, në këtë trevë të mrekullueshme!

Ndryshimi nuk vjen pa larguar Edi Ramën! Këtë e dini ju, këtë e di ai, këtë e di gjithë Shqipëria! Ndaj vëllezër dhe motra, te bëhemi bashkë krah për krah si një familje e madhe, duke përfshirë qindra e mijëra socialist të ndershëm, t’u themi dhe atyre se ndryshimi që po vjen më 25 prill nuk do të na ndaj, por do të na bashkoj, se qeveria e ardhshme do të jetë qeveria e njerëzve të thjesht dhe se unë do të jem kryeministër i të gjithë shqiptarëve.

Të gjithë do të përfitojnë nga ndryshimi i vërtet në arsim, në shëndetësi, në ekonomi, në bujqësi, në rritjen e rrogave dhe pensioneve, sepse ky vend i mrekullueshëm, njësoj si Delvina, kjo trevë e krenarisë dhe e punës i ka të gjitha mundësitë që të bëjmë këto mundësi të punojnë për njerëzit e Shqipërisë.

Që Shqipëria dhe pasuritë e saj të prodhojnë mirëqenie dhe pasuri për të gjithë shqiptarët. Votoni numrin 9 që të bëjmë të mundur arsimimin dhe punësimin e rinisë të Delvinës e të mbarë Shqipërisë, Më 25 prill votoni numrin 9, që të bëjmë të mundur rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet e huaja, turizmin, zhvillimin ekonomik. Më 25 prill votoni numrin 9 për ndryshimin që doni, për ndryshimin që meritoni. Më 25 prill votoni numrin 9! Delvina fiton! Shqipëria fiton!

Artikulli i mëparshëmAksident i rëndë në Gjakovë, 3 të vdekur/ Dyshohet se viktimat janë shtetas shqiptarë
Artikulli i radhësForca e Turqisë tani shqetëson edhe Izraelin