Neymar ka folur për media para ndeshjes së parë gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve që Paris Saint-Germain do të luajë këtë të mërkurë kundër Manchester Cityt në “Parc des Princes”.
Braziliani ka thënë se ai dhe skuadra janë të gatshëm për ndeshjen e nesërme.
“Jam shumë i kënaqur me sezonin që po bëjmë. Topi i Artë? Nuk është diçka për të cilën mendoj. Dua të fitoj Ligën e Kampionëve”.
I pyetur për të ardhmen e tij te PSG, klub me të cilin ka kontratë deri më 30 qershor 2022, ish-lojtari i Barcelonës tha se jemi duke biseduar e klubin.
“Nuk kam asgjë më për të thënë. Ne jemi duke biseduar me klubin dhe unë do të bëj atë që është më e mira për të gjithë. Jam i lumtur në Paris. Klubi është përmirësuar, është më i respektuar”.
“Ne jemi ndër skuadrat më të mira në të gjitha ligat kryesore. Ky është respekti që meriton PSG”.
“Është viti i dytë radhazi që jemi ndër më të mirët në Ligën e Kampionëve. Do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të arritur te trofeu”, ka thënë Neymar.