SPAK ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të Fatos Lulo (ish – gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese), Bashkim Dedja (ish – Kryetar në Gjykatën Kushtetuese) dhe Shkëlzen Selimi (ish – gjyqtar në Gjykatën e Lartë), të shkarkuar nga Vettingu.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 7.5.2020 regjistroi procedimin penal nr.137 për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuar nga neni 257/a/2 të Kodit Penal.
Duke qënë se shtetasit Fatos Lulo (ish – gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese), Bashkim Dedja (ish – Kryetar në Gjykatën Kushtetuese) dhe Shkëlzen Selimi (ish – gjyqtar në Gjykatën e Lartë), janë hetuar, për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 257a/a/2 të Kodit Penal, dhe për këtë arsye në bazë të nenit 3/1, gërma (d), të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ata janë dhe subjekte të këtij ligji.
Nga hetimi penal i kryer, rezultuan të dhëna që këta subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesat përkatëse për sekuestrimin e pasurive në zotërim/pronësi të këtyre tre subjekteve.
I. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.7, datë 20.4.2021, vendosi:
• Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
• Vendosjen e sekuestros mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Fatos Lulo, me sipërfaqe 172 m2, e llojit Njësi/Dyqan, e ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë.
II. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.8, datë 20.4.2021, vendosi:
• Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
• Vendosjen e sekuestros mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Bashkim Dedja, e llojit apartament, me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë.
III. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.10, datë 23.4.2021:
• Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur, masën e sekuestros mbi pasuritë në pronësi/zotërim të shtetasit Shkëlzen Selimi, si vijon:
1. 1/2 (50%) e pasurisë e llojit truall 432 m2 dhe objekt 132.25 m2 Karburant/Pikë Tregëtimi, me vendodhje Shetitore Lungomare, Vlorë, në pronësi të shtetasit Shkëlzen Selimi
2. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 2400 m2 (pasuri e përbërë nga bashkim pasurish), e ndodhur Jonufër, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi.
3. 55% e pasurisë e llojit truall, me sipërfaqe 764 m2 dhe godinë me sipërfaqe 57 m2, Karburant, e ndodhur në Rrugën Transballkanike, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi”– njofton SPAK.