Rrezikon burgun/ Fermeri belg zhvendos gurin e kufirit me Francën… sepse i pengonte traktorin

0

Një fermer në Belgjikë është bërë i famshëm pasi pa dashje ka zhvendosur gurin që ndan kufirin me Francën. Ngjarja u zbulua nga një dashamirës i historisë që ishte duke ecur në pyll kur vuri re se guri që shënonte kufirin midis dy vendeve ishte zhvendosur 2.29m në brendësi të Francës.

Fermeri belg, me sa duket i mërzitur nga guri që pengonte rrugën e traktorit të tij, e kishte zhvendosur atë brenda territorit francez. Në vend që të shkaktonte trazira ndërkombëtare, incidenti është pritur me buzëqeshje në të dy anët e kufirit.

“Ai e bëri Belgjikën më të madhe dhe Francën më të vogël, nuk është një ide e mirë. Unë u lumturova, qyteti im ishte më i madh”, – tha duke qeshur David Lavaux, kryetar i fshatit belg Erquelinnes, për kanalin televiziv Francez TF1.

“Ne duhet të jemi në gjendje të shmangim një luftë të re kufitare,” – tha tha gjithashtu i qeshur kryetarja e fshatit fqinj francez, Aurélie Welonek.

Autoritetet lokale belge planifikojnë të kontaktojnë fermerin për t’i kërkuar atij që ta kthejë gurin në vendin e tij origjinal. Nëse kjo nuk ndodh, çështja mund të përfundojë në ministrinë e jashtme belge, e cila do të duhet të thërrasë një komision kufitar franko-belg që fle që nga viti 1930.

Lavaux vuri në dukje se fermeri mund të përballet me akuza penale nëse nuk kthen gurin atje ku ishte.

“Nëse ai tregon vullnet të mirë, nuk do të ketë ndonjë problem, ne do ta zgjidhim këtë çështje miqësisht”, – i tha ai faqes së lajmeve belge Sudinfo.

Kufiri midis Francës dhe Belgjikë shtrihet në 620 km. Ai u krijua zyrtarisht nën Traktatin e Kortrijk, nënshkruar në 1820 pas disfatës së Napoleonit në Waterloo, 5 vjet më parë. Guri i zhvendosur nga fermeri daton që nga viti 1819, kur kufiri u shënua për herë të parë.

Artikulli i mëparshëmGripi është zhdukur në të gjithë botën gjatë pandemisë së Covid-19
Artikulli i radhësA mund të ndryshojnë tani kufijtë në Ballkan/ Flasin diplomatët veteranë Carl Bild dhe Miroslav Lajçak