Arjan Çani deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” se Basha duhet të japë dorëheqjen, megjithatë sipas tij, çdo person që do të ishte në vend të Bashës, do t’i kishte humbur zgjedhjet.
“Ka një kontraditë që duhet sqaruar. Mendoj që zoti Basha, kushdo të ishte në vendin e tij, do të bëntë njëlloj. Ai është përballë një presioni që po i kërkojnë dorëheqjen.
Duke qenë se politika nuk është arti i të thënit të të vërtetave, është në koherencë të plotë me qëllimin e tij.
Basha nuk do të japë dorëheqjen. Sigurisht, provat janë, nuk janë ndoshta të plota, por janë që në këto zgjedhje është deformuar vota e shqiptarëve, në një masë që mund të ketë ndryshuar edhe rezultati.
Si mund t’i kërkohet opozitës të ruajë votën?
Basha ka thënë, ne do të ruajmë votat me aq sa kemi mundësi, por e vetmja mënyrë është të ketë pjesëmarrje të madhe. Kushdo të ishte në vend të Bashës, rezultati do të ishte njësoj. Basha nuk luftoi me një parti, por me shtetin.
Jam dakord që Basha duhet të ikë, duhet të japë dorëheqje të parevokueshme.
Por ama, duhet të jem i ndershëm dhe të them se kushdo të ishte në vend të Bashës, përballë sistemit që ne jetojmë, që ka krijuar Rama, është prapë i humbur. Nëse nuk themi këtë, atëherë është e kotë të bëjmë analizën.
Nëse Basha pas një muaji dështon me provat që zgjedhjet kanë qenë masakër, ai do të thotë do t’i njohim zgjedhjet dhe do të hyjmë në parlament. Ai ka të dhëna që diçka e pistë ka ndodhur. Në politikë, gjërat kanë dinamikë. Parlamenti mblidhet në shtator, ka kohë”, tha ndër të tjera Çani.