Në 17 maj 2021, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP AG) do të publikojë në faqen e tij zyrtare një përmbledhje të një Ftese për Tender (ITT), për blerjen e sasive të nevojshme të gazit për veprimtaritë operacionale, duke përfshirë edhe furnizimin me karburant të stacioneve të kompresorëve.
Përmbledhja e ITT-së do të përcaktojë kushtet e procedurës së tenderimit, të cilat ҫdo ofertues konsiderohet se i pranon, me anë të pjesëmarrjes në këtë procedurë.
Një formular për Shprehje Interesi (EoI) në version pro-forma do të jetë gjithashtu i disponueshëm në faqen e TAP- it, në mënyrë që palët që kualifikohen, të mund të regjistrojnë interesin e tyre për të marrë paketën e plotë të Dokumentave të ITT-së.
Një pamje e përgjithshme e procedurës së tenderimit gjendet më poshtë:
Periudha e furnizimit: 1 tetor, 2021 deri më 30 shtator, 2022
Pikat e dorëzimit:
• Pika e interkonjeksionit në Melendugno, Itali
• Pika e ridrejtimit të Snam Rete Gas, në Melendugno
• Pika e interkonjeksionit në Nea Mesimvria, Greqi
• Pika Virtuale e Tregtimit e TAP-it (VTP), e disponueshme për transportuesit e TAP që kanë kapacitet të qëndrueshëm për transportimin me drejtimin përpara, për periudhën në fjalë.
Informacione të mëtejshme dhe dokumentacioni përkatës për ITT-në, vetëm në gjuhën angleze, do të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të TAP-it: www.tap-ag.com
Kjo është hera e dytë që TAP zhvillon një proces të tillë tenderimi; ITT-ja e parë vjetore për blerjen e Gazit për përdorim gjatë aktivitetit operacional të TAP-it u hap në qeshor 2020.
Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)
TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Denizit në sektorin azerbajxhanas të detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.
TAP-i do të lehtësojë furnizimin me gaz të vendeve të Evropës Juglindore përmes interkonektorëve të ardhshëm. Në veçanti, Bullgaria do të jetë në gjendje të mbulojë deri në 33% të kërkesës së saj totale për gaz përmes gazsjellësit TAP, pas përfundimit të interkonektorit Greqi Bullgari(IGB). Pikat e daljes së TAP-it në Greqi dhe Shqipëri, bashkë me daljen në tokë në Itali, ofrojnë mundësi të mëtejshme për transportin e gazit nga Azerbajxhani drejt tregjeve më të mëdha evropiane.
Si një pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit, TAP-i është i rëndësishëm për Evropën, si nga pikëpamja strategjike, ashtu edhe ekonomike, si dhe thelbësor në ofrimin e aksesit të sigurtë në një burim të ri gazi natyror. TAP-i luan një rol të rëndësishëm në forcimin e sigurisë së sektorit energjetik në Evropë, diversifikimin e rezervave energjetike, si edhe objektivat e dekarbonizimit.
Aksionarët e TAP-it janë: BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).