Zgjedhjet e 25 prillit pritet të sjellin furtunë në PS, qeveri dhe administratë. Edhe pse socialistët e mbajtën pushtetin, mandati i tretë do të sjellë reformim të thellë në shumë sektorë. Sa i takon PS, do largohen pjesa më e madhe e emrave të Kryesisë, Asamblesë dhe funksionarë degësh. Por mësohet se kjo do të pasohet me ndryshime në qeveri. Gazeta raportoi një ditë më parë se kryeministri Edi Rama kishte mbledhur në Dajt ministrat, ndërsa dje kanë dalë detaje nga ky takim. Rama ua ka bërë të qartë të gjithë emrave se askush nuk e ka vendin të sigurt në qeverinë e re. Kreu i qeverisë ka bërë të ditur se deri në fund të gushtit do të nisë një proces analize për punë e ekzekutivit si në nivel qendror, ashtu dhe në atë rajonal. Të martën secili ministër ka folur për arritjet e deritanishme, ndërsa po ashtu janë identifikuar dhe sektorët që nuk po ecin me ritmin e duhur. Mësohet se Rama ka kërkuar që të nisë një proces analize në administratë dhe të gjithë ata drejtorë që nuk kanë punuar si duhet, duhet të largohen. Po ashtu do të duhet të ikin të gjithë ata funksionarë administrate që nuk u përgjigjen qytetarëve. Mësohet se Rama ua ka bërë të qartë se çdo ditë i vijnë ankesa për zvarritje me shërbimet, sidomos në fushën e legalizimit, pronave, hipotekave. Shefi i qeverisë ka kërkuar nga të gjithë që të bëhen një administratë sa më cilësore dhe kushdo që nuk i përshtatet ritmit të qeverisë duhet të lërë karrigen. Rama i ka cilësuar si parazitë dhe turp të administratës ata që zvarrisin qytetarët dhe për këtë arsye do të kemi furtunë në ditët në vijim. Sipas burimeve, shumica e drejtorëve kryesorë pritet të largohen, sidomos në sektorët kyç, por priten lëvizje dhe në nivele më të ulëta.
Më pak të votuarit të rrezikuar
Kryeministri Rama në mbledhje e ka bërë të qartë se pavarësisht fitores ai nuk është i kënaqur me sa është arritur deri më tani. Shefi i qeverisë e cilëson mandatin e tretë si mandatin e ndryshimit, prandaj është shprehur se ky mandat do të jetë shumë ndryshe nga dy të parët. Sipas burimeve, shumë nga ministrat aktualë do të largohen nga postet që kanë. Disa mund të marrin ministri të tjera, ndërsa disa do të mbeten thjesht deputetë, duke qenë se pjesa dërrmuese e kabinetit kandidoi më 25 prill. Nga ana tjetër shefi i qeverisë e ka bërë të ditur se nga tani e deri në shtator duhet të hartohet plani i qartë i reformave për këtë 4-vjeçar qeverisës. Sigurisht ai e ka theksuar se PS do të jetë e gatshme të bashkëpunojë me PD për çdo ligj dhe reformë, megjithatë PS po përgatitet të ketë një plan ambicioz qeverisës. Sipas burimeve, emrat e parë që mund të ikin nga kabineti janë ata që dolën me më pak vota në zgjedhjet e 25 prillit. Pra kryeministri do të bëjë një vlerësim dhe mbi pëlqyeshmërinë e publikut ndaj tyre. Nëse shohim rezultatet e 25 prillit, më i vlerësuari është zv/kryeministri Erion Braçe, i cili ka marrë rreth 15.600 vota në qarkun e Fierit. Pas tij vijnë Belinda Balluku, Bledi Çuçi, Niko Peleshi, Arben Ahmetaj, Ogerta Manastirliu dhe Pandeli Majko. E teta renditet Elisa Spiropali, pas saj vjen Etilda Gjonaj dhe më pas Anila Denaj, të cilët mbyllin 10 ministrat e parë. Ata që janë më pak të votuar janë: Olta Xhaçka, Eduart Shalsi, Evis Kushi dhe Milva Ekonomi. Sipas burimeve, rezultatet e secilit do të shihen edhe mbi bazën e zonave dhe numrit të popullsisë, pasi në zona si Tirana, Fieri, etj., popullsia është më e madhe dhe normalisht është më e lehtë të kesh më shumë vota. Mësohet se pjesë e kabinetit pritet të ketë emra nga jashtë Parlamenti, të cilët janë ekspertë të fushave të caktuara.