Javët e fundit janë përgjysmuar rastet aktive me COVID-19. Sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë në datën 7 maj numri i rasteve aktive me COVID-19 ishte 13.916 ndërsa 7 ditë më vonë në 14 maj raportohen rreth 6 mijë infektime më pak ose 7407 raste aktive.
Por sipas mjekut epidemiolog Ilir Alimehmeti shifrat e të shëruarve që raporton qeveria nuk përputhen me trendin e infektimeve ditore për periudhën dy mujore prill-maj 2021.
Gjatë kësaj periudhe kohore që përkon edhe me fushatën elektorale ministria e Shëndetësisë ka raportuar shifra tejet të ulëta infektimesh në rënie që shkojnë nga 160 deri në 30 infektime në 24 orë. Ndërsa nga ana tjetër të shëruarit që e kanë kaluar fazën 14 ditore pa komplikacione brenda të njëjtës periudhë kohore llogariten 8 deri 10 herë më shumë se të infektuarit.
Sipas ekspertëve mungesa e një tamponi të dytë që dëshmon saktësisht negativitetin pas infektimit me COVID-19 ka prodhuar shifra të fryra të rasteve pozitive të akumuluara prej kohësh.