“Unë jam polic në Fier dhe po udhëtoja nga ky qytet drejt Tiranës. Përgjithësisht rrugës së kthimit marr njerëz. Në zonën e plepave një person ngriti dorën dhe unë e mora në makinë. Me vete kishte një pako që e vendosi në bagazh”.
Ky është rrëfimi i oficerit të Reneas Xhuljo Lici përpara policisë menjëherë sapo atij ju hodhën prangat mbas zbulimit të mbi 1 kilogramë kokainë. Për këtë operacion të koduar “Baroni” u prangosën edhe Ded Nimani, me precedent të mëparshëm në fushën e drogës dhe Luan Gaçi.
Për të tre të arrestuarit prokuroria ka kërkuar arrest me burg në gjykatë dhe se masa do të shqyrtohet të hënën. Në dosjen që TCH disponon thuhet se vëzhgimi nisi pas një informacioni të sigurt që vuri në dijeni antidrogën se disa shtetas do blinin ne sasi prej 1 kg apo 2 kg kokainë për ta shpërndarë me pakicë në Tiranë. Akuza i thotë gjykatës se më pas policia i mori nën vëzhgim të dyshuarit Gaci dhe Nimani, të cilët shfaqen në zonën e Plepave teksa bisedojnë me njeri tjetrin.
Hetimi zbuloi se më pas Luan Gaci hipën në një makinë me targat AA 463 TO, kurse Ded Nimani niset në drejtim të Kavajës në këmbë. Një orë e 30 minuta më vonë thuhet në dosje një automjet i dytë afrohet pranë mjetit që drejtonte Gaci. Në këtë makinë si pasagjer ishte Nimani dhe si shofer i një drejtues i panjohur i cili më pas u identifikua si oficeri i RENEA-s.
Të tre ata kanë dalë nga makinat përkatëse këmbëngul prokuroria dhe personi i panjohur që është oficeri i RENEA-s nxjerr pakon dhe pikërisht këtu kanë ndërhyrë grupet e vëzhgimit. Burimet shtojnë se Nimani , i cili ishte si pasagjer në makinën e oficerit të policisë nuk ka pranuar të flasë. I treti Luan Gaci këmbëngul se i ka shërbyer si taksi Nimanit dhe se të njëjtën gjë po bënte dhe atë ditë dhe se nuk ka asnjë lidhje me shitblerjen e kokainës.