Teuta shpallet kampione duke e dërrmuar Apoloninë, në ndeshjen e fundit të kampionatit. Titulli varej nga golat dhe të besuarit e Martinit përmirësuan golavarazhin në javën e fundit me 6-1 kundër fierakëve, kur duhej të mos i linin asnjë shans Vllaznisë, me të cilët ndan pikët, 66, në krye të renditjes, por jo trofeun që kthehet në Durrës pas 27 vjetësh. Fitoi edhe Vllaznia 2-0 në Loro Borici kundër Laçit, por nuk mundet të kalojë diferencën që e mban të dytën. Mbijetesën e siguron Kastrioti por e vendosi Kukësi, që u mund nga krutanët, në kohën kur Partizani përmbysi 2-4 Bylis.
Një kampionat i gjatë, me plot befasi e përmbysje situatash, që edhe një javë nga fundi lanë të gjithë skenarët hapur. Por Teuta e Martinit nuk gaboi hapin e fundit që e ngjiti në kuotën e 66 pikëve, duke i lënë Vllaznisë, Partizanit e Laçit, rivalëve të 36 javëve, vetëm dëshpërimin për një trofe që vetëm i shkuan afër. Në fund ia del Teuta, në një vit të vështirë pandemik, që i jep më tepër vlerë arritjes, edhe pse në mënyrë kontroverse: të besuarit e Martinit ishin sulmi më i dobët ndër gjashtë skuadrat e para të kampionatit para goleadës së sotme dhe kanë fiksuar rekordin e 15 barazimeve. Në këtë rast vlen të thuhet se mbrojtja fitoi titullin, më e mira në kampionat me 16 gola të pësuar, që lejojnë kapitenin Arapi të ngrejë lart trofeun dhe të nisin festën….
Mbijetesën e siguroi Kastrioti, por me bamirësinë e Kukësit, që u dorëzua 2-1 kundër të besuarve të Ndreut që tani do të luajnë ndeshjen playoff me Tomorrin. Kastrioti ia doli të mbajë poshtë Bylis që e nisi në avantazh kundër Partizanit, por u dorëzua përballë informacioneve që vinin nga ndeshje tjetër, duke lejuar më pas përmbysjen e të kuqve 2-4 në Ballsh.