Kryeministri Edi Rama pritet të vijë me një qeveri tërësisht të re në shtator. Vetë shefi i ekzekutivit ua ka bërë të qartë të vetëve se mandati i tretë do të jetë shumë ndryshe nga dy të parët. Përtej ftesës që i ka bërë Bashës për bashkëqeverisje, sipas informacioneve Rama po mendon që me mandatin e tretë të sjellë një frymë krejt të re, sidomos dhe në pjesën e investimeve. Zgjedhjet e 25 prillit u fituan me premtimin për të çuar përpara reformat dhe gazeta ka mësuar që kryeministri ka nisur që tani të projektojë qeverinë e re. E sigurt është që 70-80 për qind e ministrave aktualë do të largohen nga qeveria. Reforma në ekzekutiv do të bazohet mbi disa komponentë. Së pari Rama do të analizojë punën e gjithsecilit qëkur ka marrë detyrën dhe deri më sot. Pas zgjedhjeve Rama i mblodhi në një restorant në Dajt ministrat dhe aty u bë një bilanc pune. Elementi i dytë që do të marrë parasysh shefi i qeverisë janë mesazhet, email-et apo dhe letrat qoftë nga qytetarët, qoftë nga baza për punën e ministrave. Nuk duhet harruar se ka dhe shumë deputetë që janë të pakënaqur me disa ministra, kjo për shkak të mungesës së investimeve në zonat e tyre elektorale.
Më pak të votuarit
Një element shumë i rëndësishëm mbi të cilin do e bazojë kryeministri vlerësimin për ministrat do të jetë rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit. Në këto zgjedhje u votua dhe për emrat dhe në një farë mënyre votat që kanë shkuar për secilin tregojnë dhe mbështetjen që ka në publik secili ministër. Gazeta ka nxjerrë të dhënat e votave për çdo ministër. Nëse shohim këto rezultate më të rrezikuarit për të lënë qeverinë në shtator janë: Milva Ekonomi, Evis Kushi, Eduard Shalsi, Olta Xhaçka, Anila Denaj, Etilda Gjonaj. Këta janë emrat më pak të votuar në zgjedhjet e 25 prillit, ndërkohë i rrezikuar është dhe Pandeli Majko, i cili nuk do të jetë më deputet. Nëse shohim rezultatet e 25 prillit, më i vlerësuari është zv/kryeministri Erion Braçe, i cili ka marrë rreth 15.600 vota në qarkun e Fierit. Pas tij vijnë Belinda Balluku, Bledi Çuçi, Niko Peleshi, Arben Ahmetaj dhe Ogerta Manastirliu. Pra këta të fundit janë më të pëlqyerit që do të thotë se disa mund t’i shohim sërish në qeveri, por ndoshta në dikastere të tjera.
Reformat
Nëse hyjmë më thellë, dikasteret që pritet të reformohen totalisht mësohet se së pari do të jetë Ministria e Financave. Pavarësisht se u vu një eksperte në krye të saj, gazeta ka mësuar se kryeministri nuk është shumë i kënaqur me situatën ekonomike në vend dhe me shumë gjasë Anila Denaj mund të zëvendësohet. Ministrja e Arsimit është një tjetër emër. Vetë Rama këto ditë është fokusuar te arsimi duke paralajmëruar një revolucion dhe me shumë gjasë do të kemi një emër të ri. Milva Ekonomi dhe Niko Peleshi u emëruan para zgjedhjeve dhe për shumë persona kjo ishte strategji elektorale, çka do të thotë se dhe ata nuk e kanë të sigurt vendin. Bledi Çuçi pritet të ikë nga Ministria e Brendshme drejt një tjetër ministrie. Në këtë ministri Rama do të sjellë një figurë nga jashtë politikës sipas asaj që flitet në korridoret politike. Po ashtu Eduard Shalsi me Etilda Gjonajn janë mes të rrezikuarve. Të vetmit që mund të themi që gëzojnë simpatinë e Ramës, kjo edhe nga protagonizmi i tyre në media, janë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila menaxhoi pandeminë. Një tjetër emër është Belinda Balluku, e cila gëzon mbështetjen e Ramës për investimet në infrastrukturë dhe Arben Ahmetaj që ka në dorë rindërtimin. Ndërkohë edhe sa i takon postit të Erion Braçes mund të kemi ndryshime. Më 2 qershor Rama do të mbledhë Asamblenë e PS, ku do hidhet hapi i parë për spastrime në parti e më pas në qeveri.