Pak ditë më parë, vdekja misterioze e një vajze nga qyteti i Delvinës, vetëm 23 vjeç, shokoi opinionin publik. E reja Evgjeni Baxho u gjet e pajetë brenda një banese në zonën e “Ali Demit” ku ajo jetonte me qira, dhe me disa shenja të mistershme në trupin e saj. Kjo histori erdhi pas rastit tjetër shokues, ai i familjes Josifi në zonën e Kombinatit.
Por gazetarja Anila Hoxha ka zbuluar se një tjetër histori, e padëgjuar më parë, e një ekonomisti 32 vjeçar, ka qenë rasti i parë në kryeqytet i cili ka humbur jetën në rrethana të dyshimta, dhe grupet e hetimit edhe sot nuk dinë të japin përgjigje se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.
Gazetarja ka treguar në “Abc e Mëngjesit” rastin e vdekjes së 32-vjeçarit në rrethana misterioze, rast të cilin ajo po e investigon prej një viti. Sipas saj, bëhet fjalë për një të ri, Gerti S.
“Gerti është i pari që ka humbur jetë në rrethana misterioze, të pahetuara. Kanë ardhur vërdallë dhe s’i kanë dhënë përgjigje…”
I riu ishte ekonomist dhe pasi nisi të frekuentonte një sekt të caktuar, filloi të ndryshonte sjellje. Familjarë të tij i kanë treguar Hoxhës se ai filloi të mos konsumonte më produkte me origjinë shtazore dhe kërkonte që në shtëpi të konsumoheshin vetëm produkte me natyrë bimore.
Më tej nisën edhe konfliktet me familjarët.
“Ndryshoi sjellje, agjendë, rutinë, ndryshoi edhe menynë ushqimore. Kërkonte të konsumoheshin vetëm produkte me natyre bimore, jo mishi. Pas konflikteve, u largua nga shtëpia. Nga burime mësova se po kërkonin një 32-vjecar, e ëma është ankuar dhe nuk po e gjente dot.”
Dyzet ditë më vonë, Gerti u gjet i pajetë në një zonë të pyllëzuar.
“Ishte i vetmuar, i paushqyer, i vetëflijuar, në pozicion lutjeje. Nisën hetimet. U kërkua një sekt që dyshohet se kishte bazën në zonën e ish-Stacionit të Trenit. Nuk e gjeta. Prokuroria ia kaloi si çështje komisariatit Nr.1 dhe ngjarja vazhdon të jetë ende pa asnjë autor.”
Anila Hoxha u shpreh se nga mungesa e informacionit, autoritetet mund të thonë se Gerti ndërroi jetë për shkaqe natyrore, “u vetëflijua për shkaqe të rënduara mendore.” Gazetarja u shpreh e shqetësuar se autoritetet duhet t’u shkojnë deri në fund këtyre historive, dhe jo vetëm të hetohet në mënyrë sipërfaqësore dhe më pas të mbyllen si çështje.
Kurse për Ervin Karamuçën, ekspert i profilizimit kriminalistik, kemi të bëjmë me një rast sakrifikimi. Duke folur për grupe okulte ose sekte që mund të jenë duke qarkulluar në vend, Karamuça thotë se viktimat e tyre kanë sjellje të ngjashme. Këto raste, por edhe të tjera që ndoshta nuk kanë mundur të shfaqen në media, për Ervin Karamuçën janë pasoja të veprimtarisë së grupeve satanike në Shqipëri.
Sipas tij, këto sekte apo grupime okulte kanë gjetur një parajsë në Shqipëri, pasi informacioni këtu është i pakët ndërsa edhe vetë ekspertët që duhet t’i hetojnë janë në shumicën e rasteve të painofrmuar. Karamuça thotë se viktimat e këtyre grupeve satanike kanë sjellje të ngjashme dhe u bëri thirrje prindërve që të kenë kujdes me fëmijët nëse ndryshojnë sjellje.
“Ka një profilizim të viktimave. Tërheqja, ndryshimi i menysë së të ngrënit. Terma të pakuptueshëm në fjalor, ku flitet me simbole të caktuara. Djali nuk është vetëflijuar, është pjesë e një sakrifikimi. Kanë tendencë t’i bëjnë në vende të hapura. Djali nuk ka qenë vetëm.”
Eksperti thotë se në shënjestër të këtyre grupeve janë njerëz të rinj, pa mbështetje dhe me probleme ekonomike.
“Joshen shumë shpejt. Me një kurs anglishteje, me një celular. Këto grupe janë të pamëshirshme. Nuk të falin, nuk të lënë të dalësh nga rrethi i tyre. Deep ëeb, dhe dark ëeb, regjistrohen aty për të marrë informacione sesi të bëhen ritualet. Të huaj vijnë në Shqipëri dhe gjejnë një parajsë.”
Ervin Karamuça shpjegon se rrethi i këtyre personave apo grupeve janë të pamëshirshëm, nuk falin dhe për ata që pendohen ose duan të largohet, fundi është tragjik.
“Janë të pamëshirshërm. Nuk të falin, nuk të lënë të dalësh nga rrethi i tyre.”
Për të marrë informacione rreth ritualeve ata mund të jenë duke përdorur “deep web” dhe “dark web.”
Dhe, sipas Karamuçës grupet e hetimit në Shqipëri nuk kanë njerëz të specializuar që të futen në këto rrjete për të investiguar. Ai u bën thirrje autoriteteve që rasteve të dyshimta t’u shkohet deri në fund, ndoshta me ekipe të specializuara në mënyrë që këto fenomene të frenohen në kohë, përpara se shifrat të jenë akoma më të larta./abcnews