Kredia prej 30 mln USD nga Fondi Saudit për Zhvillim do të shkojë për riformësimin e vijës bregdetare nga tuneli i Vlorës deri në Orikum, si një vazhdimësi e Lungomares. Pas miratimit në qeveri, marrëveshja e huasë ka marrë miratimin edhe në parlament, ndërkohë që relacioni shoqërues detajon edhe ndërhyrjet konkrete që do të kryhen përmes kësaj huaje. Sipas dokumentit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka përgatitur një koncept specifik të ndërhyrjes për zonën nga Tuneli te Marina, Orikum.
Ndërkohë që, projekti parashikon rimodelimin e të gjithë kësaj vije bregdetare, me qëllim krijimin e hapësirës për këmbësorët, rritjen e kapacitetit të plazhit dhe përmirësimin e aksesit në bregun e detit. Komponentët kryesorë të projektit përfshijnë ndërtimin e shtigjeve përgjatë vijës bregdetare, shëtitore, rrugë për biçikleta paralel me shëtitoren, trotuaret, gjelbërim, ndriçim, etj. Këto ndërhyrje, sipas relacionit do të rigjenerojnë të gjithë zonën dhe do ta kthejnë atë në një destinacion tërheqës turistik me më shumë lehtësi dhe mobilim në funksion të turizmit dhe infrastrukturë publike të përmirësuar.
Punimet parashikohet në përfundojnë në fund të vitit 2023, ndërkohë që numri i përfituesve të drejtpërdrejtë nga projekti pritet të jetë rreth 142 876 banorë , ndërsa numri i përfituesve indirekt është rreth 500 mijë banorë. Kredia prej 30 mln euro me Fondit Saudit për Zhvillim, fillimisht ishte parashikuar të shkonte për rehabilitimin e rrugës së Lumit të Vlorës, por në shtator të vitit të kaluar qeveria u tërhoq nga marrëveshja e huasë, duke i hapur rrugë “transferimit” të fondeve në projektin e ri.