Zbardhet skema e qeverisë së re, Rama synon të fusë në kabinet emra nga 12 qarqet e vendit, kërkon nga baza raport për punën e secilit

0
Zbardhet skema e qeverisë së re, Rama synon të fusë në

Kryeministri Edi Rama ka nisur përgatitjet për ndryshimet në qeveri, të cilat pritet të ndodhin në shtator. Pak ditë më parë Partia Socialiste mblodhi Kongresin e Jashtëzakonshëm, ndërsa u prezantuan pikat kryesore të mandatit të tretë qeverisës. Por gazeta ka mësuar disa detaje nga ky takim, teksa kryeministri Rama pritet të bëjë spastrime të forta brenda partisë dhe sidomos në nivel ekzekutiv. Sipas informacioneve nga selia rozë, zoti Rama ka kërkuar ndihmën e bazës socialiste për të pasur një panoramë të qartë për punën e ministrave dhe deputetëve sidomos gjatë periudhës së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Më konkretisht, mësohet se shefi i qeverisë ka kërkuar nga krerët e degëve që të “spiunojnë”, duke i përmbledhur në një raport, gjithë veprimtarinë dhe angazhimet që kanë bërë zyrtarët socialistë, duke filluar nga ministrat dhe deputetët aktualë, deri tek deputetët e rinj dhe kandidatët për deputetë që nuk mundën dot të futen në Parlamentin e ri. Mësohet se këtë vendim shefi i socialistëve e ka marrë, pasi është tejet i interesuar të dijë me detaje se kush ka punuar dhe kush ka dështuar të përmbushë objektivat e vendosura prej tij në zgjedhjet e 25 prillit. Kjo do të thotë se ndryshe nga herët e tjera që kryesocialisti Rama ka vendosur vetë se kush do të jenë ministrat e rinj, për qeverinë e re do të jetë baza ajo që ka në dorë fatin e tyre. Ndërkohë, mësohet se ministrat do të futen në skaner edhe sa i takon performancës dhe punës së tyre, ku në raste se do të ketë vërejtje dhe rezerva nga ana e anëtarësisë do të largohen nga qeveria.

Më pak të votuarit rrezikojnë të penalizohen

Por përveç porosive që iu ka dhënë krerëve të degëve të Partisë Socialiste për të përmbledhur në raport punën e gjithë zyrtarëve të lartë sa u takon zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit, mësohet se kryeministri Edi Rama pritet që të ndëshkojë më pak të votuarit edhe pse ata mund të jenë zgjedhur deputetë, pasi kanë qenë vendosur në listat fituese. Sipas informacioneve, mësohet se kryeministri Rama ka vendosur të penalizojë, duke lënë jashtë qeverisë apo edhe ofiqeve të tjera parlamentare dhe brenda PS-së. Pra, kjo lëvizje tregon se në qeverinë e re dhe postet e tjera të larta do hyjnë ata që kanë kontribuar, duke çuar më shumë vota në hambarin e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Në qeverinë e re 1 ministër për çdo qark

Megjithatë, gazeta ka mësuar se kryeministri Edi Rama po shikon edhe mundësinë që në qeverinë e re, e cila do të krijohet dhe votohet në shtator, të këtë për çdo qark nga një ministër. Kjo do të thotë se një deputet i Qarkut të Korçës ose 11 qarqeve të tjera, do të jetë ministër në qeverinë e re “Rama 3”. Madje, një gjë të tillë e ka pohuar ditën e djeshme edhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila teksa ishte e ftuar në një studio televizive u pyet nëse do të ketë një ministër për çdo qark, ndërsa u shpreh se skema po mendohet nga kryeministri Rama. “Këtë skemë po e mendon dhe kolaudon kryeministri që ka tagrin. Ne po bëjmë punën tonë. Ka kohë deri në shtator kur do të prezantohen emrat e rinj. Duhet bërë edhe pak durim”, deklaroi Spiropali.

Artikulli i mëparshëm“Rama di shumë për të”/ ‘Bomba’ e Spartak Ngjelës, paralajmëron fundin ‘tragjik’ të Sali Berishës: Ja çfarë i trembet kryeministri aktual!
Artikulli i radhësNjihuni me 6 sinjalet e trupit të cilat nuk duhet t’i injoroni kurrë, flasin ekspertët